Prof. dr. Sadudin Ibraimi inaugurohet për rektor të UEJL-së

Prof. dr. Sadudin Ibraimi inaugurohet për rektor të UEJL-së

Universiteti i Evropës Juglindore (UEJL) nga Tetova informojnë se sot në një ceremoni solemne është kryer inaugurimi i rektorit të ri prof. dr. Sadudin Ibraimi.

Në fjalën e tij përshëndetëse, kryetari i Bordit të UEJL-së, prof. dr. Klaus Toterman, theksoi se zgjedhja e prof.dr. Sadudin Ibraimit si rektor i ri është një moment i rëndësishëm në zhvillimin e institucionit dhe shprehje e besimit të Bordit dhe komunitetit akademik në aftësitë e tij drejtuese.

Pas dorëzimit të mandatit, rektori i mëparshëm, akad. prof. dr. Abdylmenaf Bexheti, deklaroi se “sot është dita e bartjes së stafetës” dhe shprehu bindjen se rektori i ri do ta çojë universitetin drejt kapitujve edhe më të ndritur.

“Profesori Ibraimi e ka dëshmuar kapacitetin e tij gjatë gjithë kohës dhe se do ta dinamizojë më tej zhvillimin e universitetit, duke pasur përkrahjen e stafit dhe të gjithë komunitetit universitar”, theksoi Bexheti.

Në fjalimin e tij, rektori i ri, prof. dr. Sadudin Ibraimi, theksoi se këtë përgjegjësi e merr me mirënjohje të thellë ndaj paraardhësve dhe me vizion të qartë për ndërtimin e mëtejshëm mbi bazën e krijuar. Ai u zotua se universiteti do të vazhdojë me zhvillim të menduar dhe ambicioz, duke zgjeruar ndikimin e tij në arsimin e lartë në vend dhe rajon.

“Le ta ndërtojmë së bashku një universitet pa kufij, që promovon diversitetin, barazinë, përgjegjësinë dhe shërbimin ndaj shoqërisë; një universitet që zhvillon jo vetëm dijen, por edhe të qenit njeri”, theksoi ai.

Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Lulzim Aliu theksoi se Ministria e Arsimit do të vazhdojë të mbështesë këtë universitet.

“Jemi të bindur se me përvojën, profesionalizmin dhe përkushtimin tuaj, do të udhëhiqni me sukses universitetin drejt sfidave të reja duke i dhënë prioritet inovacionit, digjitalizimit dhe përfshirjes së studentëve në procesin vendimmarrës. Ministria e Arsimit dhe Shkencës do të vazhdojë të jetë partner i afërt i universitetit tuaj dhe universiteteve tjera në vend”, theksoi Aliu.

Në promovim morën pjesë përfaqësues të trupit diplomatik, rektorë të universiteteve nga vendi, Shqipëria dhe nga Kosova, personalitete nga jeta shoqërore dhe ajo biznesore, anëtarë të familjes, stafi akademik dhe studentët e Universitetit të Evropës Juglindore.

MARKETING