Pritet rritje drastike e çmimit të cigareve në vendet e BE-së

Pritet rritje drastike e çmimit të cigareve në vendet e BE-së

Komisioni i Bashkimit Evropian po synon të rrisë ndjeshëm tatimin mbi produktet e duhanit, një masë që po kundërshtohet fort nga industria dhe disa politikanë evropianë. Sipas tyre, ky plan do të çojë në një rritje drastike të çmimeve, duke nxitur në mënyrë të pashmangshme tregun e zi.

Propozimi i Komisionit synon të rrisë normën minimale të taksës për 1000 cigare nga 90 Euro në 215 Euro. Për duhanin e prerë imët, tarifa do të rritet nga 60 Euro në 215 Euro për kilogram. Si rezultat i këtij ndryshimi, industria e duhanit paralajmëron se çmimi i një pakete cigaresh në vende si Gjermania do të shkonte nga rreth 8.50 Euro në mbi 12 Euro, ndërsa një qese 30-gramëshe me duhan do të kushtonte më shumë se 18 Euro shkruan DW.

Sipas drejtuesit të Shoqatës Federale të Industrisë së Duhanit dhe Produkteve të Reja, Jan Mücke, kjo rritje është “plotësisht joproporcionale” dhe do të shërbente si “paketë stimulimi ekonomik për tregun e zi”. Ai thekson se rrjetet kriminale po bëhen gjithnjë e më fitimprurëse dhe se shumë konsumatorë po kalojnë nga blerja ligjore në atë të paligjshme për shkak të çmimeve të larta.

Kritika për këtë plan vjen edhe nga ana politike. Eurodeputeti i CSU-së, Markus Ferber, paralajmëron se kush e “shtrëngon shumë vidën e taksave” rrezikon të dëmtojë bizneset e ndershme dhe të ndihmojë kontrabandistët. Aprovimi i propozimit mbetet i pasigurt, pasi për miratimin e tij kërkohet edhe vota e shteteve anëtare dhe e Parlamentit Evropian.

MARKETING