Prishtinë, protestohet kundër rritjes së tarifave të energjisë elektrike
Në Prishtinë është mbajtur protestë kundër kërkesës së Kompanisë Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) për rritje të tarifave të energjisë elektrike në Kosovë, raporton Anadolu.
Qindra qytetarë u mblodhën të premten para ndërtesës kryesore të Kompanisë për Shpërndarjen e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) në Prishtinë duke mbajtur pankarta me mesazhe të ndryshme kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.
“Nuk e durojmë ma hajninë”, “Nuk sakrifikojmë për KEDS-in”, “Një popull nuk i nënshtrohet KEDS-it”, “Stop hajnisë me fatura të rrymës”, “Rryma rritet, populli digjet”, ishin disa nga mesazhet e pankartave që mbanin protestuesit.
Protesta është organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, në bashkëpunim me organizatën “Përpjekja”.
Ajo filloi pranë ndërtesës së KEDS-it dhe përfundoi te ndërtesa e Qeverisë së Kosovës.
KESCO i kërkoi Zyrës së Rregullatorit për Energji në Kosovë rritje prej 21,3 për qind të faturave të energjisë elektrike së fundmi ndërsa ZRRE pritet që gjatë muajit mars të vendos pro ose kundër kësaj rritjeje.
Nga Zyra e Presidentes së Kosovës, është bërë e ditur se Presidentja Vjosa Osmani do t’i drejtohet Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), për ta kundërshtuar shtrenjtimin e energjisë elektrike.

