Prishtinë, mbahet marsh në mbështetje të Palestinës

Prishtinë, mbahet marsh në mbështetje të Palestinës

Disa qindra qytetarë të Kosovës marshuan nga Xhamia e Madhe (Mehmet Fatih) në Prishtinë deri në sheshin “Zahir Pajaziti” në përkrahje të popullit palestinez dhe Palestinës, raporton Anadolu.

Me disa fotografi të fëmijëve të vrarë në Gaza ditëve të fundit të shfaqura në fillim të marshit dhe motot si “Liri për Palestinën”, “Të ngrihemi për Palestinën dhe për të drejtat e njeriut” dhe “Stop gjenocidit”, qindra qytetarë brohoritën për të drejtat e popullit palestinez.

Albert Berisha, njëri nga organizatorët e këtij tubimi i cili iu drejtua të pranishmëve, tha se me këtë aktivitet po dërgojnë mesazh se nuk janë në anën e më të fortëve, por, në anën e drejtësisë.

“Ajo që po ndodh sot në Gaza është terrorizëm shtetëror dhe sistematik, spastrim etnik, masakër, gjenocid…”, tha Berisha, derisa shtoi se nuk janë ideologjikish me Hamasin apo Fetahun dhe aksionet e tyre.

Ai shtoi se “vrasjet masive, ndalimi i ujit dhe ushqimit, bombardimi i kuzhinave, shkollave, xhamive dhe spitaleve janë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit”.

“Liria është e shtrenjtë dhe ne e dimë se sa shtrenjtë e kemi paguar, është më e shtrenjtë se vetë jeta”, theksoi Berisha.

Pas bombardimit dhe granatimit së fundi të një spitali në Gaza ku humbën jetën qindra qytetarë, reagoi duke e dënuar sulmin edhe Bashkësia Islame e Kosovës (BIK).

“Dënojmë në formën më të ashpër këtë veprim, i cili është krim kundër njerëzimit. Ftoj botën demokratike e qytetëruese, që të ndërmarrë hapa e të veprojë me shpejtësi në parandalimin e një kasaphaneje në Gaza, për të cilën do të jemi përgjegjës që të gjithë”, shkroi myftiu Naim Tërnava në një reagim publik.

MARKETING