Princi britanik Harry zbulon të ketë vrarë 25 persona në Afganistan si pilot helikopteri
Princi Harry i Britanisë ka zbuluar në një libër të ardhshëm të kujtimeve të tij se ai ka vrarë 25 njerëz si pilot i helikopterit Apache gjatë turneut të tij të dytë në Afganistan, transmeton Anadolu Agency (AA).
Pretendimi i Princit Harry në libër, i titulluar “Spare”, i cili do të jetë i disponueshëm në libraritë në Mbretërinë e Bashkuar javën e ardhshme, erdhi pasi versioni spanjisht i librit u hodh në shitje aksidentalisht në Spanjë.
Duka i Sussex-it, i cili ka dhënë dorëheqjen nga detyrat e tij mbretërore dhe është larguar nga Mbretëria e Bashkuar me gruan e tij Meghan Markle, fluturoi gjatë luftës në Afganistan dhe misionet e tij kanë rezultuar në “marrje të jetëve njerëzore”. Ai thuhet se në libër ka thënë që nuk është as krenar dhe as i turpëruar për vrasjet, pasi i ka përshkruar të vrarët si “të këqij” që përpiqeshin të vrisnin “të mirët”.
Princi Harry nuk i ka menduar 25 të vrarët si “njerëz”, por si “figura shahu” që u hoqën nga tabela, shkroi “The Telegraph”, duke thënë se ka siguruar një kopje të librit në gjuhën spanjolle.
Mijëra talebanë dhe militantë të lidhur me Al-Kaedën u vranë në luftën në Afganistan, së bashku me mijëra civilë.
Princi Harry shërbeu në ushtrinë britanike për dhjetë vjet, duke u ngritur në gradën e kapitenit dhe duke ndërmarrë dy turne në Afganistan.
Në shkurt 2008, Ministria e Mbrojtjes e Britanisë konfirmoi se Princi Harry kishte shërbyer me ushtrinë në Helmand të Afganistanit “për më shumë se dy muaj”.
“Princi Harry është shumë krenar që i shërben vendit të tij në operacione së bashku me shokët e tij ushtarë dhe për të bërë punën për të cilën është trajnuar”, thuhej në atë kohë në një deklaratë nga Clarence House, rezidencë mbretërore në Londër.
Siç raportohet më tej, princi në autobiografinë gjithashtu ka thënë se vëllai i tij, Princi William dhe gruaja Princesha Kate, e kishin inkurajuar atë të vishej si ushtar nazist me një shirit svastika, incident ky që shkaktoi një valë tronditëse në gjithë Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2005.
Duke e përshkruar ngjarjen si “një nga gabimet më të mëdha në jetën time”, Princi Harry thotë në libër se William dhe Kate “ulërinin me të qeshura” kur e kishin parë atë me kostum.