Presidentja sllovene: Sulmet e Izraelit në Gaza janë të papranueshme

Presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar tha se sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga e marta më 18 mars e deri më tani janë të papranueshme, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë që bëri në llogarinë e saj në median sociale, Musar rikujtoi se qindra qytetarë të Gazës kanë humbur jetën në sulmet e Izraelit në Gaza.
Ajo tha se “në sulmet e Izraelit vetëm dje humbën jetën 200 fëmijë”.
“Dje në mëngjes, një punonjës i stafit të OKB-së në Gaza u vra në një sulm ndërsa u plagosën tre nga kolegët e tij nga njësia e pastrimit të minave të OKB-së në territoret e pushtuara. Sulmet e Izraelit janë shkelje e papranueshme e armëpushimit dhe pengojnë përpjekjet për të rikthyer pengjet izraelite të mbetur në Gaza dhe për të gjetur zgjidhje paqësore për t’i dhënë fund vuajtjeve të popullit palestinez të lodhur nga lufta”, tha Musar duke shtuar:
“Më vjen keq që negociatat e paqes kanë dështuar deri më tani, por kjo luftë duhet të përfundojë dhe të gjitha palët duhet të tregojnë përpjekje për paqen”.
Presidentja sllovene theksoi se shtetet palë në Konventat e Gjenevës mbajnë përgjegjësinë për të parandaluar krimet e luftës dhe për të siguruar ndjekjen penale të kriminelëve të luftës.