Presidentja Osmani pas vdekjes së Bujar Bukoshit: Ishte burrë shteti me përkushtim të pashoq

Presidentja Osmani pas vdekjes së Bujar Bukoshit: Ishte burrë shteti me përkushtim të pashoq

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur ngushëllimet e saj të sinqerta për familjen Bukoshi pas ndarjes nga jeta të ish-kryeministrit në mërgim, Bujar Bukoshi.

MARKETING

Në mesazhin ngushëllues drejtuar familjarëve, Osmani e ka cilësuar Bukoshin si një personalitet të shquar, të përkushtuar dhe me ndikim të jashtëzakonshëm në kohët vendimtare për Kosovën.
“E dashur familje Bukoshi, me shumë trishtim mora lajmin për vdekjen e Bujar Bukoshit – një mjek vizionar dhe një udhëheqës i rrallë që e ka shërbyer popullin me përkushtim të pashoq. Si kryeministër i Qeverisë së Përkohshme në ekzil, ai dha një kontribut të madh në forcimin e përpjekjeve për një Kosovë të lirë dhe të pavarur në periudhat më të vështira për vendin tonë,” thuhet në mesazh.

Ajo gjithashtu vlerëson rolin e tij të trefishtë si profesionist i shëndetësisë, intelektual dhe figurë politike, duke theksuar ndikimin e qëndrueshëm që ka lënë në historinë moderne të Kosovës.

“Për shumë vite ai e përfaqësoi Kosovën me dinjitet, mençuri dhe vendosmëri. Në këto momente të dhimbshme, ju shpreh mbështetjen time dhe ju uroj forcë për ta përballuar këtë humbje. Kujtimi për Dr. Bujar Bukoshin do të jetojë përgjithmonë,” përfundon mesazhi.
Bukoshi ndërroi jetë në moshën 78-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë. Ai shërbeu si kryeministër i Qeverisë së Kosovës në ekzil nga viti 1991 deri në vitin 2000, duke qenë një nga figurat kyçe të skenës politike gjatë periudhës së rezistencës paqësore.

MARKETING