Presidentja Osmani fajëson autoritetet në Beograd për dorëheqjen e policëve serbë në Kosovë

Presidentja Osmani fajëson autoritetet në Beograd për dorëheqjen e policëve serbë në Kosovë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka fajësuar autoritetet në Beograd për dorëheqjet e fundit nga zyrtarët policorë të komunitetit serb nga Policia e Kosovës, transmeton Anadolu.

Osmani pas vizitës së saj në Komunën e Klinës ka thënë se nga informacionet e fundit që ka marrë nga institucionet e sigurisë, numri i dorëheqjeve të zyrtarëve serbë të Policisë së Kosovës ka arritur në shtatë.

Ajo tha se sipas hetimeve të institucioneve kosovare përgjatë këtyre javëve, rrezikimi i tyre, kërcënimet, frikësimi i tyre dhe shantazhimi “vijnë drejtpërdrejtë nga Serbia, pra, burimin e kanë në Serbi”.

“Ky shtet që fatkeqësisht vazhdon me agresion të hapur në raport me Kosovën po vazhdon që nëpërmjet institucioneve të veta ilegale dhe kriminale në Kosovë t’i bëjë presion qytetarëve serbë të cilët janë pro integrimit, pro bashkëpunimit dhe të cilët janë pro shfrytëzimit të të drejtave që ua ofron atyre edhe Kushtetuta e Kosovës por edhe marrëveshjet e Brukselit”, theksoi Osmani.

Ajo tutje tha se veprimet e tilla janë shkelje flagrante e marrëveshjeve në Bruksel midis Kosovës dhe Serbisë të cilat e kanë paraparë që një numër i policëve serbë të jenë të komuniteteve.

Osmani tha se pret nga BE që të marrin masa ndaj Serbisë dhe presidentit Vuçiq për këtë shkelje.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, po ashtu ka thënë se policët serb në Kosovë po detyrohen të japin dorëheqje për shkak të kërcënimeve dhe presioneve nga Beogradi. Ai ka kërkuar reagim të ashpër nga ndërkombëtarët duke theksuar se këto veprime duhet të ndalen.

“Oficerët e policisë po detyrohen të japin dorëheqjen përmes kërcënimeve dhe presioneve nga institucionet e sanksionuara të Beogradit. Në këtë mënyrë ata po dëmtojnë qëllimisht minoritetin serb në Kosovë dhe po cenojnë sovranitetin tonë. Kjo duhet të ndalet. Komuniteti ndërkombëtar duhet të reagojë ashpër ndaj sjelljes së Serbisë”, ka shkruar ai.

Ka reaguar edhe ministri për Komunitete dhe kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, pas dorëheqjes së policëve serbë.

Sipas tij, policët e kanë filluar dhe përfunduar “karrierën e tyre të shkurtër me shënjestrim, fyerje, nënçmim, me kërcënime ndaj tyre por edhe ndaj familjarëve të tyre”.

Rashiq tha se nuk ka asnjë serb të Kosovës që s’i ka ndjerë kërcënimet e tilla të paktën një herë.

“Fatkeqësisht, ndoshta nuk ka asnjë serb të Kosovës që të paktën një herë personalisht të mos i ketë ndjerë kërcënimet e egra nga ‘forca e padukshme malore’ që shkatërron çdo vepër dhe çdo dëshirë për bashkëjetesë në Kosovën tonë të bukur me metodat e saj shkatërruese. Në 11 vjetët e fundit të mbijetesës dhe qëndrimit tonë këtu, i janë bërë dëme të pariparueshme dhe sigurisht që nuk mbaron me kaq, na thonë se do të ‘luftojnë deri në serbin e fundit kosovar'”, thuhet në reagimin e ministrit Rashiq.

Për dorëheqjen e fillimisht tre zyrtarëve policorë nga radhët e komunitetit serb pati reagim dje edhe nga shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Giovanni Pietro Barbano, i cili tha se e ka parë me shqetësim situatën.

“Përbërja e Policisë duhet të reflektojë dhe përfaqësojë shoqërinë që i shërben dhe e mbron”, ka shkruar Barbano.

MARKETING