Presidentja në detyrë e Venezuelës shpall ligjin e propozuar për amnisti dhe kushte më të mira në burgje

Presidentja në detyrë e Venezuelës shpall ligjin e propozuar për amnisti dhe kushte më të mira në burgje

Presidentja e Venezuelës, Delcy Rodriguez, ka njoftuar një ligj amnistie që prek qindra të burgosur dhe ka deklaruar se qendra e paraburgimit Helicoide në Karakas, e cila ka qenë subjekt i akuzave për torturë, do të transformohet në një qendër për sporte dhe shërbime sociale, transmeton Anadolu.

Duke folur gjatë një ceremonie që shënonte fillimin e vitit të ri gjyqësor në Gjykatën Supreme të Drejtësisë në Karakas, sipas mediave lokale, Rodriguez tha se amnistia do të mbulojë rastet nga viti 1999 deri në ditët e sotme.

Megjithatë, shtoi Rodriguez, ajo do të përjashtojë personat e ndjekur penalisht për trafik droge, vrasje, korrupsion dhe shkelje të të drejtave të njeriut.

Sipas fitueses së Çmimit Nobel për Paqen dhe udhëheqëses së opozitës venezueliane, Maria Corina Machado, ky hap nuk ishte një gjest “vullnetar” i qeverisë venezuelase, por rezultat i presionit nga SHBA-ja.

Organizata venezuelase për të drejtat e njeriut ‘Foro Penal’ shprehu gjithashtu optimizëm të rezervuar lidhur me këtë hap.

“Një amnisti e përgjithshme është e mirëpritur për aq kohë sa elementët dhe kushtet e saj përfshijnë të gjithë shoqërinë civile, pa diskriminim, nuk shndërrohen në mbulesë për pandëshkueshmëri dhe kontribuojnë në çmontimin e aparatit represiv të përndjekjes politike”, tha Alfredo Romero, kreu i organizatës, në platformën sociale amerikane X.

Burgu Helicoide është parë prej kohësh nga grupet për të drejtat e njeriut si një simbol i represionit të dyshuar qeveritar dhe është dënuar si një vend i abuzimit ndaj të burgosurve.

Në një operacion ushtarak më 3 janar në Venezuelë, SHBA-ja kapi presidentin Nicolas Maduro dhe bashkëshorten e tij dhe i dërgoi në Neë York, për akuzat për drogë dhe armë.

Trump tha se administrata e tij do ta “drejtojë” Venezuelën dhe asetet e saj të naftës gjatë një periudhe tranzitore.

MARKETING