Presidenti sirian Sharaa takohet me homologun amerikan Trump në Shtëpinë e Bardhë
Presidenti sirian Ahmed al-Sharaa zhvilloi sot takim Shtëpinë e Bardhë me presidentin amerikan Donald Trump, vizita e parë nga një lider sirian që nga pavarësia e vendit gati 80 vjet më parë, raporton Anadolu.
Takimi i Sharaas me Trumpin, i cili zgjati rreth një orë e gjysmë, pritej të fokusohej në heqjen e sanksioneve të vendosura nga SHBA-ja gjatë sundimit të regjimit të Bashar al-Asadit, të cilat e paralizuan ekonominë siriane, përpjekjet për ta përfshirë zyrtarisht Damaskun në koalicionin kundër DEASH-it si dhe në bisedimet e mundshme për normalizim me Izraelin – një nga qëllimet e deklaruara të Trumpit.
Pas takimit, presidenti sirian u largua nga Shtëpia e Bardhë, e cila ende nuk ka lëshuar asnjë njoftim zyrtar mbi bisedimet.
Administrata e Trumpit ka ndërmarrë një sërë masash për të lehtësuar presionin diplomatik dhe ekonomik ndaj Sirisë dhe udhëheqësit të saj, ndërsa vendi hyn në një kapitull të ri të historisë pas më shumë se 13 vjetësh lufte civile të përgjakshme, përfshirë edhe heqjen e disa sanksioneve.
Trump e nisi procesin e heqjes së sanksioneve amerikane ndaj Sirisë pas një takimi me Sharaan në maj në Arabinë Saudite. Pas atij takimi, presidenti amerikan e përshkroi homologun sirian si “një djalë i ri, tërheqës, njeri i fortë, me të kaluar të fortë”, duke sinjalizuar një ndryshim dramatik nga dekada armiqësie që kishin karakterizuar marrëdhëniet SHBA–Siri gjatë sundimit të familjes Asad.
Vizita e Sharaas në SHBA është e para nga një president sirian që nga pavarësia e vendit në vitin 1946.
I dërguari i posaçëm amerikan për Sirinë dhe ambasador në Turqi, Tom Barrack, tha javën e kaluar në Bahrein se pritet që Sharaa të nënshkruajë një dokument me Trumpin për anëtarësimin e Sirisë në koalicionin kundër DEASH-it.
Paralelisht me vizitën, Departamenti i Thesarit njoftoi pezullimin e pjesshëm të sanksioneve të Aktit Caesar ndaj Sirisë për 180 ditë.
Pezullimi zëvendëson një përjashtim të dhënë më 23 maj, i cili gjithashtu siguroi një përjashtim 180-ditor nga sanksionet e detyrueshme të Aktit Caesar, dhe përfaqëson “angazhimin tonë për vazhdimin e lehtësimit të sanksioneve për Sirinë”, u tha në një njoftim nga Zyra për Kontrollin e Aseteve të Huaja (OFAC) pranë Thesarit.
Sipas njoftimit, pezullimi ndalon vendosjen e sanksioneve të Aktit Caesar, përveç disa transaksioneve që përfshijnë qeverinë e Rusisë dhe atë të Iranit, ose transferimet e mallrave, teknologjisë, softuerit, fondeve, financimeve ose shërbimeve me origjinë ruse ose iraniane.
Akti Caesar për Mbrojtjen Civile në Siri i vitit 2019 ka qenë një element qendror i politikës së SHBA-së për të ushtruar presion mbi regjimin e mëparshëm sirian të Bashar Asadit, i cili u rrëzua në dhjetor të kaluar. Sanksionet bllokojnë investimet ndërkombëtare dhe transaksionet ekonomike që lidhen me qeverinë siriane dhe të lidhurit e saj.

