Presidenti sirian mbërrin në Shtëpinë e Bardhë për takimin historik me Trumpin

Presidenti sirian mbërrin në Shtëpinë e Bardhë për takimin historik me Trumpin

Presidenti sirian Ahmed al-Sharaa mbërriti sot në Shtëpinë e Bardhë për bisedime me presidentin amerikan Donald Trump, vizita e parë nga një lider sirian që nga pavarësia e vendit gati 80 vjet më parë, raporton Anadolu.

Takimi i Sharaas me Trumpin pritet të fokusohet në heqjen e sanksioneve të vendosura nga SHBA-ja gjatë sundimit të regjimit të Bashar al-Asadit, të cilat e paralizuan ekonominë siriane, në përpjekje për ta përfshirë zyrtarisht Damaskun në koalicionin kundër DEASH-it si dhe në bisedime të mundshme për normalizim me Izraelin – një nga qëllimet e deklaruara të Trumpit.

Administrata e Trumpit ka ndërmarrë një sërë masash për të lehtësuar presionin diplomatik dhe ekonomik ndaj Sirisë dhe udhëheqësit të saj, ndërsa vendi hyn në një kapitull të ri të historisë pas më shumë se 13 vjetësh lufte civile të përgjakshme, përfshirë edhe heqjen e disa sanksioneve.

Trump e nisi procesin e heqjes së sanksioneve amerikane ndaj Sirisë pas një takimi me Sharaan në maj në Arabinë Saudite. Pas atij takimi, presidenti amerikan e përshkroi homologun sirian si “një djalë i ri, tërheqës, njeri i fortë, me të kaluar të fortë”, duke sinjalizuar një ndryshim dramatik nga dekada armiqësie që kishin karakterizuar marrëdhëniet SHBA–Siri gjatë sundimit të familjes Asad.

Vizita e Sharaas në SHBA është e para nga një president sirian që nga pavarësia e vendit në vitin 1946.

I dërguari i posaçëm amerikan për Sirinë dhe ambasador në Turqi, Tom Barrack, tha javën e kaluar në Bahrein se pritet që Sharaa të nënshkruajë një dokument me Trumpin për anëtarësimin e Sirisë në koalicionin kundër DEASH-it.

MARKETING