Presidenti palestinez premton zgjedhje brenda një viti pas luftës në Gaza

Presidenti palestinez Mahmoud Abbas të hënën e ka rikonfirmuar angazhimin e tij për organizimin e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare brenda një viti pas përfundimit të luftës së Izraelit në Gaza.
Duke folur me video në një konferencë ndërkombëtare për Palestinën në Nju Jork, të mbajtur në prag të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së këtë javë, Abbas tha se populli palestinez synon “një shtet të bazuar në pluralizëm dhe në transferimin paqësor të pushtetit.”
Presidenti palestinez gjithashtu u bëri thirrje vendeve që ende nuk e kanë njohur shtetin e Palestinës, ta bëjnë këtë.
Abbas ishte mes 80 zyrtarëve palestinezë të cilëve Departamenti i Shtetit i ShBA-së u ka revokuar vizat dhe për këtë arsye nuk mund të marrin pjesë fizikisht në aktivitetet e OKB-së në Nju Jork këtë javë.
Në një veprim të shumëpritur, më herët të hënën, presidenti francez Emmanuel Macron i tha së njëjtës konferencë: “Deklaroj se sot Franca e njeh shtetin e Palestinës.”