Presidenti iranian Pezeshkian u plagos në sulmin ajror izraelit në Teheran

Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, pësoi lëndime të lehta në këmbë gjatë një sulmi izraelit që kishte në shënjestër një takim të Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit muajin e kaluar, raportoi të shtunën agjencia e lajmeve Fars.
Sipas raportit, sulmi me raketa ndodhi më 17 qershor, ndërsa liderët më të lartë iranianë, përfshirë krerët e tre degëve të pushtetit, po mblidheshin në një kat të poshtëm të siguruar të një ndërtese në perëndim të Teheranit.
Sulmi përfshiu gjashtë raketa që goditën hyrjet dhe daljet e ndërtesës, një metodë e ngjashme me atentatin ndaj liderit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah, tha Fars.
Zyrtarët arritën të evakuoheshin duke përdorur një dalje emergjente të planifikuar paraprakisht, raportoi agjencia, duke theksuar se Pezeshkian “u plagos gjatë evakuimit, por arriti të dilte i sigurt.”
Raporti gjithashtu tha se autoritetet iraniane dyshojnë për një rrjedhje të mundshme të brendshme, duke iu referuar saktësisë së sulmit.
Fars kritikoi mediat perëndimore dhe ato të lidhura me Izraelin për injorimin e një “akti flagrant të terrorizmit shtetëror,” ndërsa dënojnë fetvatë (vendimet fetare) të liderëve iranianë kundër figurave si Presidenti amerikan Donald Trump dhe Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.
Një konflikt i armatosur 12-ditor midis Izraelit dhe Iranit shpërtheu më 13 qershor, pasi Tel Avivi ndërmori sulme ajrore ndaj objekteve ushtarake, bërthamore dhe civile iraniane, duke vrarë të paktën 606 persona dhe plagosur 5.332 të tjerë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Iranit.
Teherani ndërmori sulme hakmarrëse me raketa dhe dronë ndaj Izraelit, duke vrarë të paktën 29 persona dhe duke plagosur mbi 3.400 të tjerë, sipas shifrave të publikuara nga Universiteti Hebraik i Jeruzalemit.
Konflikti u ndal me një armëpushim të ndërmjetësuar nga ShBA-ja, i cili hyri në fuqi më 24 qershor.