Presidenti iranian nuk sheh “asnjë problem” në rifillimin e negociatave bërthamore me SHBA-në

Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, ka deklaruar se nuk sheh “asnjë problem” në rifillimin e negociatave indirekte me SHBA-në mbi programin bërthamor të Teheranit, transmeton Anadolu.
“Nuk shohim asnjë problem në rifillimin e negociatave”, tha Pezeshkian në një intervistë me prezantuesin konservator amerikan Tucker Carlson kur u pyet për mundësinë e angazhimit përsëri me zyrtarët amerikanë.
“Por si do t’i besojmë përsëri SHBA-së”, shtoi ai.
Presidenti iranian përmendi shqetësimet për veprimet ushtarake izraelite si një pengesë kryesore për ndërtimin e besimit.
“Ne ri-hyjmë në negociata. Atëherë si mund ta dimë me siguri se në mes të bisedimeve, regjimit izraelit nuk do t’i jepet leja (nga SHBA-ja) përsëri për të na sulmuar”, tha Pezeshkian.
Një konflikt midis Izraelit dhe Iranit shpërtheu më 13 qershor, kur Izraeli nisi sulme ajrore ndaj lokacioneve ushtarake, bërthamore dhe civile iraniane, duke vrarë të paktën 935 persona. Ministria iraniane e Shëndetësisë tha se 5.332 persona po ashtu u plagosën nga sulmet.
Teherani nisi sulme hakmarrëse me raketa dhe dronë, sipas shifrave të publikuara nga Universiteti Hebraik i Kudsit, duke vrarë të paktën 29 persona dhe duke plagosur të paktën 3.400 persona.
Gjatë konfrontimit, SHBA-ja gjithashtu bombardoi tre lokacione bërthamore iraniane në Fordo, Natanz dhe Isfahan.
Konflikti, i cili shpërtheu disa ditë para një raundi të gjashtë bisedimesh bërthamore midis Washingtonit dhe Teheranit, përfundoi me një armëpushim të sponsorizuar nga SHBA-ja që hyri në fuqi më 24 qershor.