Presidenti francez emëron ministrin e Forcave të Armatosura Lecornu si kryeministër të ri

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka emëruar ministrin e Forcave të Armatosura, Sebastien Lecornu, si kryeministër të ri të vendit, transmeton Anadolu.
Pallati Elysee njoftoi se Lecornu merr detyrën pas largimit të kryeministrit François Bayrou, i cili humbi një votë besimi në Asamblenë Kombëtare dje.
Sipas Pallatit Elysee, Lecornu është ngarkuar të zhvillojë konsultime me partitë politike përpara se të formojë qeverinë e tij.
Qëllimi është të “ndërtohen marrëveshjet e nevojshme për vendimet e muajve të ardhshëm”.
“Veprimet e kryeministrit do të udhëhiqen nga mbrojtja e pavarësisë dhe fuqisë sonë, shërbimi ndaj popullit francez dhe stabiliteti politik e institucional për unitetin e vendit”, thuhet në deklaratë.
“Presidenti i republikës është i bindur se mbi këto baza është e mundur një marrëveshje mes forcave politike, duke respektuar bindjet e secilit”, shtoi deklarata.
Lecornu është i vetmi ministër që ka shërbyer vazhdimisht në qeveri që nga ardhja në pushtet presidenti Emmanuel Macron në vitin 2017.
Kryeministri në largim, i cili në korrik prezantoi kornizën buxhetore për vitin 2026, kërkonte mbështetje për një plan për të kursyer gati 44 miliardë euro si pjesë e përpjekjeve për të ulur borxhin publik të Francës, i cili tashmë arrin në 113 për qind të prodhimit bruto të brendshëm.
Megjithatë, ai mori 194 vota pro dhe 364 kundër, duke mos arritur shumicën në parlament, ku 15 nga 589 deputetë abstenuan.
Franca ka gjithashtu një nga deficitët buxhetorë më të mëdhenj në BE, respektivisht në nivelin 5,8 për qind.
Negociatat për buxhetin kanë qenë një burim i madh tensioni në politikën franceze.
Dështimi për të arritur një marrëveshje mbi buxhetin e vitit 2025 vitin e kaluar çoi në rrëzimin e qeverisë së Michel Barnier në muajin dhjetor, pasi partitë e majta dhe ato të djathta ekstreme u bashkuan pas një mocioni mosbesimi.