Presidenti Erdoğan: Turqia po ndjek me shumë vëmendje zhvillimet në Bosnjë dhe Hercegovinë

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, në një bisedë telefonike me kryetarin e Partisë së Veprimit Demokratik (SDA) të Bosnjë dhe Hercegovinës, Bakir Izetbegoviq, deklaroi se Türkiye po ndjek me shumë vëmendje dhe me përpikëri zhvillimet në BeH, transmeton Anadolu.
Sipas një deklarate nga Drejtoria e Komunikimeve të Presidencës së Türkiyes, në bisedën Erdoğan-Izetbegoviq u diskutua me të gjitha dimensionet për situatën e fundit në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe zhvillimet rajonale.
Në bisedë, presidenti Erdogan deklaroi se Türkiye po ndjek me shumë vëmendje dhe me kujdes zhvillimet në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe tensioni në rritje duhet të marrë fund sa më shpejt që të jetë e mundur në kuadrin e sundimit të rendit kushtetues dhe të rendit ligjor në BeH.
Erdogan deklaroi se Türkiye do të vazhdojë të ofrojë mbështetje të fortë për të mbrojtur integritetin territorial, sovranitetin dhe rendin kushtetues të BeH-së dhe se në këtë kuadër presidentit të entitetit Republika Srpska të Bosnjë dhe Hercegovinës, Milorad Dodik, i janë bërë paralajmërimet e nevojshme.
Presidenti Erdoğan theksoi se zhvillimet në Bosnjë dhe Hercegovinë nuk janë shkaktuar nga një konflikt midis popujve themelues, se është e rëndësishme që partitë politike që mbështesin integritetin territorial brenda BeH-së të bashkohen në një bazë minimale të përbashkët dhe se komuniteti ndërkombëtar duhet gjithashtu të mbajë një qëndrim të fortë kundër separatizmit në rajon.