Presidenti egjiptian: Trump meriton Çmimin Nobel për Paqen për marrëveshjen e armëpushimit në Gaza

Presidenti egjiptian Abdel Fattah al-Sisi tha se homologu i tij amerikan Donald Trump “meriton Çmimin Nobel për Paqen” për rolin e tij në ndërmjetësimin e marrëveshjes së armëpushimit në Gaza për t’i dhënë fund dy viteve sulmesh izraelite ndaj enklavës palestineze, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë të presidencës thuhet se Sisi ka biseduar në telefon me Trumpin për ta përgëzuar atë për “suksesin e përpjekjeve të tij të palodhura për të ndaluar luftën në Rripin e Gazës”, duke shprehur “mirënjohjen e tij të thellë” për angazhimin e presidentit amerikan për paqen.
Trump thuhet se ka shprehur “gëzim të madh” për atë që e ka quajtur “arritje historike” dhe ka theksuar miqësinë e tij të ngushtë me Sisin. Ai ka thënë gjithashtu se “sytë e botës ishin nga Egjipti në ditët e fundit”, ndërsa negociatat në Sharm el-Sheikh çuan në një marrëveshje armëpushimi në Gaza.
Sisi e ka përshkruar po ashtu marrëveshjen si “arritje historike” që pasqyron “përpjekjet e sinqerta dhe të vazhdueshme të Trumpit për të arritur paqen”.
“Presidenti Trump meriton plotësisht dhe me të drejtë Çmimin Nobel për Paqen” për ndërmjetësimin e tij, ka thënë ai, duke mbështetur në mënyrë efektive fushatën e presidentit, që e ka promovuar veten si të denjë për çmimin.
Marrëveshja e armëpushimit u njoftua në agimin e së enjtes pas katër ditësh negociatash indirekte midis Hamasit dhe Izraelit në Sharm el-Sheikh të Egjiptit, me ndërmjetësimin e Turqisë, Egjiptit, Katarit dhe SHBA-së.
Më 29 shtator, presidenti amerikan Donald Trump prezantoi një plan armëpushimi me 20 pika për Gazën, që përfshin lirimin e të gjithë robërve izraelitë në këmbim të rreth 2.000 të burgosurve palestinezë, një armëpushim të përhershëm dhe tërheqje graduale të forcave izraelite nga i gjithë Rripi i Gazës.
Faza e dytë e planit parashikon krijimin e një mekanizmi të ri qeverisës në Gaza pa pjesëmarrjen e Hamasit, formimin e një force sigurie të përbërë nga palestinezë dhe trupa nga vende arabe e islame, si dhe çarmatimin e Hamasit. Po ashtu, plani parashikon financim arab e islam për administratën e re dhe rindërtimin e Rripit, me pjesëmarrje të kufizuar të Autoritetit Palestinez.
Ndërsa shumica e vendeve arabe dhe myslimane e kanë mirëpritur planin, disa zyrtarë kanë deklaruar se shumë detaje në të kërkojnë diskutim dhe negociata për t’u zbatuar plotësisht.