Presidenti egjiptian: Bombardimet izraelite në Gaza “shkojnë përtej të drejtës për vetëmbrojtje”

Presidenti egjiptian: Bombardimet izraelite në Gaza “shkojnë përtej të drejtës për vetëmbrojtje”

Presidenti egjiptian, Abdel Fattah al-Sisi, ka deklaruar se bombardimet izraelite në Gaza “shkojnë përtej të drejtës për vetëmbrojtje” dhe ka bërë thirrje për ringjalljen e procesit të paqes midis palestinezëve dhe izraelitëve, transmeton Anadolu.

“Ne të gjithë duhet të ndërmarrim veprime për të frenuar zhvillimet që mund të bëhen të pakontrollueshme në rajon”, tha presidenti egjiptian gjatë diskutimeve me kryeministrin britanik, Rishi Sunak.

Siç raportojnë mediat lokale, al-Sisi përmendi viktimat civile në enklavën e rrethuar palestineze, duke theksuar se “ne të gjithë duhet të ndërmarrim veprime në mënyrë që luftimet të mos shkaktojnë vdekjen e më shumë civilëve”.

Al-Sisi gjithashtu theksoi domosdoshmërinë e vazhdimit të fluksit të ndihmave për Rripin e Gazës, duke përfshirë furnizimet mjekësore dhe humanitare.

Ai shprehu vlerësimin e tij për përpjekjet e bëra nga presidenti amerikan, Joe Biden dhe Mbretëria e Bashkuar për të bindur Izraelin të lejojë hapjen e kalimit Rafah.

Por, shtoi ai, ka nevojë për “koordinim dhe bashkëpunim” në mënyrë që rajoni të mos “rrëshqasë në luftë”.

“Kjo edhe një herë do t’u japë shpresë palestinezëve për të krijuar shtetin e tyre palestinez në kufijtë e vitit 1967 me Kudsin Lindor si kryeqytet”, tha al-Sisi.

Duke folur me kryeministrin Sunak, al-Sisi tha: “Unë e vërej mirëkuptimin tuaj për rëndësinë e mos lejimit të zhvendosjes së civilëve nga Gaza në Sinai. Kjo është një çështje jashtëzakonisht e rrezikshme dhe mund të ndalojë plotësisht kauzën palestineze”.

Izraeli ka bombarduar Gazën që nga ofensiva e befasishme e 7 tetorit nga Hamasi dhe e ka vendosur të gjithë enklavën nën një bllokadë, duke lënë 2.3 milionë banorë me pak ushqim, ujë, karburant dhe furnizime mjekësore.

Pas takimeve në Riad, kryeministri britanik mbërriti në Kajro në kuadër të “përpjekjeve më të gjera për të parandaluar përhapjen e dhunës” pas sulmeve të Hamasit.

“Të gjithë liderët duhet të punojnë së bashku për të shmangur çdo përshkallëzim rajonal dhe për të siguruar që ndihma humanitare të arrijë civilët në Gaza. Mbretëria e Bashkuar është e gatshme të ndihmojë”, tha Sunak në një deklaratë më herët.

MARKETING