PRANIA E FUQISË SË BUTË KINEZE DHE RUSE NË MAQEDONINË E VERIUT

PRANIA E FUQISË SË BUTË KINEZE DHE RUSE NË MAQEDONINË E VERIUT

Shkruan: Muhamed Jashari, Shkup

Në këtë epokë të ndërvarësisë kulturore, ekonomike-tregtare dhe të çfarëdollojshme, qoftë në fushën mediatike, literaturën politike, apo qendrat e ndryshme studimore, ndeshemi me nocionin e “fuqisë së butë” si mjet i atraksionit tek tjetri me qëllim për të arritur një synim të caktuar.

Ky mjet i veprimtarisë së gjerë shtetërore ka gjetur zbatim te shtetet e ndryshme dhe kësisoj për tu paraqitur sa më konkurrues në sfidat e shek. XXI. Këtu nuk bëjnë përjashtim as aktivitetet e Republikës Popullore të Kinës dhe të Federatës Ruse në Maqedoninë e Veriut si një vend i rëndësishëm në kontekstin ballkanik.

Ndërthurja e këtij nocioni (lexo: fuqisë së butë por edhe diplomacisë publike) në kuadër të politikës së jashtme kineze dhe ruse tashmë kanë zënë fill edhe në dokumentet dhe programet zyrtare të këtyre shteteve, që i japin kahje politikave të tyre që duhet të ndjek shteti.

Kështu psh. në fund të vitit 2022 elita politike ruse, më saktë presidenti i vendit Vladimir Putin, miratoi dokumentin zyrtar me titull: “Koncepti i Politikës Humanitare të Federatës Ruse për botën e jashtme”, e cila kishte për synim të bëjë promovimin e historisë, kulturës, literaturës dhe gjuhës ruse jashtë vendit.

Në këtë kontekst, qëllimi ishte forcimi i pozitës ndërkombëtare të Rusisë dhe “neutralizimi i tendencave anti-ruse të natyrës politiko-kulturore”, nëpër botë, kurse burimet mediatike ruse, siç janë TV-të, radiot, e interneti përmenden si instrumente veçanërisht të dobishme në këtë drejtim.

Qoftë ne rastin kinez apo edhe atë rus, inkuadrimi i teknikave të këtilla të veprimtarisë shtetërore në suaza të politikës zyrtare shtetërore, është dëshmi qe tanimë Republika Popullore e Kinës dhe Federata Ruse synojnë t’i konkurrojnë shteteve perëndimore në çdo sferë e rajon gjeografik.

***

Kur jemi te fusha mediale, duhet thënë që Republika Popullore e Kinës është aktive edhe në transmetimet e lajmeve nëpër gjuhët lokale. Këtu mund të përmendim Radio Ndërkombëtare e Kinës (CRI) e cila bën pjesë në kuadër të Departamentit për Propagandë pranë Partisë Komuniste Kineze, ndonëse nuk ofron transmetime në gjuhën maqedonase, megjithatë rrjeti i saj është i përdorueshëm edhe për publikun e Maqedonisë së Veriut, pasi që ofron shërbime edhe në gjuhën shqipe (Radio Ejani në Republikën e Shqipërisë) dhe gjuhën serbe (Kineski Radio Internacional në Republikën e Serbisë)!

Duket se shfrytëzimi i rrjeteve sociale siç është facebooku konsiderohet vendi më adekuat ku ambasada e Republikës Popullore të Kinës në Maqedoninë e Veriut përveçse mbulon aktivitetet që realizon në vend, për habi në masë të madhe shpërndan lajmet dhe postimet e mediave të ndryshme kineze që nuk kanë të bëjnë me marrëdhëniet maqedonase-kineze! Ndonëse kjo platformë është e ndaluar në Kinë, shfrytëzimi i saj nga përfaqësitë diplomatike kineze shihet si një mjet i mirëfilltë përmes së cilës synohet vëmendja e publikut të shtetit pritës.

Kjo mund të shihet në kontekst të fushatës: “Tregoni mirë historinë e Kinës” fushatë kjo e ndërmarrë nga presidenti kinez Xi Jinping në vitin 2013, ku u proklamua që Kina duhet, “të rrisë fuqinë e saj të butë, të japë narrativë të mirë kineze dhe t’i komunikojë më mirë mesazhet e Kinës në botë”.

Një praktikë e këtillë është evidente edhe kur është në pyetje profili zyrtar i ambasadës së Federatës Ruse në facebook, në të cilën përveç lajmeve rreth aktiviteteve të ambasadës, ofrohen pamjet gjeografike të rajoneve të ndryshme ruse, dhe në vazhdimësi postohen fjalimet e udhëheqësve rusë, qoftë të presidentit, shefit të diplomacisë, njoftime të MPJ-së ruse etj.

Në rastin e Maqedonisë së Veriut kur bëhet fjalë për praninë kulturore kineze, vlen të thuhet që janë shtuar edhe veprat e përkthyera nga gjuha kineze në gjuhën maqedonase (Ana Krstinovksa), duke mos lënë pa përmendur as emetimet në programin televiziv- Telma Tv siç është emisioni Ni Hao, që flet për artin, kulturën dhe traditat kineze.
Aktivitete në fushën kulturore e mediatike më shumë gjasë kanë kontribuar edhe në perceptimin e imazhit të Kinës në aspekt pozitiv tek qytetarët e Maqedonisë së Veriut.

Bazuar në sondazhin e realizuar nga Institutit Ndërkombëtar Republikan – IRI që përfshiu vendet e Ballkanit Perëndimor gjatë periudhës shkurt-mars të vitit 2024, gjetjet tregojnë që 41% e të anketuarve në Maqedoninë e Veriut kanë mendim disi të favorshëm për Kinën dhe 15% shumë të favorshëm. (Ndërkaq, sa i përket Federatës Ruse, gjetjet tregojnë që 19% e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut kanë mendim shumë të favorshëm dhe 31% disi të favorshëm.). Qëndrimi i tillë i qytetarëve të këtij nënqielli ndaj Kinës, përmbush synimet e diplomacisë kineze për të krijuar imazhin sa më pozitiv tek publiku i jashtëm.

***

Përdorimi i rrjeteve sociale si vegël për tërheqjen e vëmendjes së publikut – atë të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut – nuk mungon as kur bëhet fjalë për paraqitjen e kulturës dhe informacioneve të ndryshme ruse në vend.

Në këtë aspekt, portali Russian Beyond që funksionon në kuadër të “Tv Novosti” dhe ndonëse e vetëquajtur organizatë autonome joprofitabile, dhe i cili në bazë te Departamentit Amerikan i përket zinxhirit mediatik që financohet nga shteti rus, ofron shërbime edhe në gjuhën maqedonase. Ky portal, ashtu siç saktësohet në të, ka për mision që shfrytëzuesve anembanë botës t’ua bëj të njohur Rusinë me gjithë kulturën, historinë, kuzhinën, peizazhet gjeografike etj.!
Portali në fjalë synon auditorin e huaj dhe përmirësimin e imazhit të Rusisë jashtë vendit … duke sjellë “lajme alternative” dhe duke promovuar kulturën ruse në kuptimin më të gjerë të mundshëm.

***

Pa dyshim që dy institucione që konfirmojnë praninë kulturore dhe arsimore të këtyre shteteve në Republikën e Maqedonisë së Veriut janë Instituti Kunfuci dhe Russkij Mir, përkatësisht “Ruski Centar” në Shkup.

Aspekti i bashkëpunimit kulturor dhe edukativ ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut edhe Republikës Popullore të Kinës theksohet edhe në kuadër të marrëdhënieve bilaterale. Madje vlen të përmendim që si rrjedhojë e marrëveshjes ndërmjet dy qeverive nënshkruar para disa vitesh, u bë hapja e “Shtëpisë së kulturës kineze” (viti 2010), e si një hap i parë drejt hapjes së mëtejme të asaj çfarë sot e quajmë Instituti Konfuci (në Maqedoni u themelua në vitin 2013).

Në suaza të bashkëpunimeve me institucione të ndryshme arsimore në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Instituti Konfuci realizon aktivitete me shkolla fillore dhe të mesme, ku prezantohen ushqimet, traditat, arkitektura, kaligrafia kineze, aftësitë sportive etj. Duhet përmendur që ky Institut realizon bashkëpunime edhe me komuna të ndryshme të vendit kryesisht ku popullsia maqedonase është shumicë. Ekziston nivel i ulët i bashkëpunimit, ndërmjet Instituti Konfucij dhe komunave ku shumica e banorëve janë shqiptarë dhe ky nivel i ulët i bashkëpunimit me gjasë korrespondon edhe me gjetjet e anketës së realizuar nga IRI, ku 36% e të anketuarve shqiptarë të Maqedonisë së Veriut kanë mendim shumë të pafavorshëm dhe 21% disi të pafavorshëm për Kinën.

Instituti Konfuci i cili i shtrin aktivitetet në Maqedoninë e Veriut, ashtu sikurse në vende tjera të botës, është produkt i vetperceptimit dhe politikës zyrtare kineze për t’u njohur tek popujt dhe kulturat tjera, dhe natyrisht për të krijuar prirjet pro-kineze nëpër botë!

***

Institucionalizimi i fuqisë së butë përveçse është evident në dokumentet politike zyrtare ruse siç u tha më sipër, gjen shprehje edhe në themelimin e fondacioneve të ndryshme që kanë mbështetje nga shteti rus. Në saje të veprimtarisë që ka për mision njohjen me kulturën, traditën dhe gjuhën ruse funksionon pikërisht Russkij Mir – (shq. “Bota Ruse”). Në Republikën e Maqedonisë së Veriut institucioni i cili u themelua me iniciativë të ambasadës ruse në Shkup, dhe me mbështetje të Fond Russkij Mir është “Ruski Centar- Qendra Ruse”, e cila ngjashëm sikurse Instituti Konfuci, u themelua në kuadër të universitetit “Shën Qirili dhe Metodi” në vitin 2015, por që aktivisht filloi me punë në vitin 2016.

Në kuadër të Ruski Centar në Shkup është evident mosinteresimi për gjuhën ruse tek përkatësia etnike shqiptare. Se etnia shqiptare në Maqedoni e Veriut ka disponim negativ ndaj Rusisë konfirmohet edhe në anketën e IRI-it, ku vërehet që 50% e shqiptarëve kanë mendim shumë të pafavorshëm dhe 22% disi të pafavorshëm ndaj Federatës Ruse. Aktivitetet e Ruski Centar janë të pranishme edhe në rrjetin social në facebook në të cilën duhet thënë që, krahasuar me Institutin Konfuci ku postohen vetëm ngjarje që kanë të bëjnë me praninë kineze në vend, në profilin e Ruski Centar në vazhdimësi postohen edhe të dhëna, informacione, dhe ashtu siç thuhet në të, fakte interesante të karakterit qoftë historik apo gjeografik për Rusinë.
Shikuar në përgjithësi, prezenca e fuqisë së butë kineze dhe ruse në Maqedoninë e Veriut, qoftë në sferën mediatike (portaleve, rrjeteve sociale), kulturore e arsimore, mund ta lexojmë në kontekst të përpjekjeve për kultivimin e ndjenjave pozitive të qytetarëve të vendit ndaj shteteve të lartshënuara. Gjithashtu pa lënë anash edhe synimin për të krijuar imazhin si fuqi të atilla globale që prania e tyre ndihet gjithandej.

(Ky tekst është pjesë nga artikulli: “Prania e Diplomacisë Publike kineze dhe ruse në Maqedoninë e Veriut: Studim rasti – Instituti Konfuci dhe Fond Russkij Mir” botuar në revistën CENTRUM, Nr.21 fq. 129-144).

MARKETING