Polonia në alarm, një objekt i paidentifikuar shkel hapësirën ajrore

Polonia në alarm, një objekt i paidentifikuar shkel hapësirën ajrore

Një objekt i paidentifikuar ka fluturuar paraditen e së premtes në hapësirën ajrore polake, duke alarmuar autoritetet vendase. Lajmi u bë i ditur nga komanda operacionale e Forcave të Armatosura të Polonisë nëpërmjet një postimi në platformën X.

“Sot në mëngjes, një objekt ajror i paidentifikuar hyri në hapësirën ajrore të Polonisë nga drejtimi i kufirit me Ukrainën dhe që nga momenti i kalimit të kufirit deri në zhdukjen e sinjalit, ai u gjurmua nga radarët e sistemit të mbrojtjes ajrore të vendit”, thuhet në deklaratë.

Ndërkohë, stacioni radiofonik RMF FM, i cili u referohet dëshmitarëve okularë nga rajoni Dolhobičuv i Lublinit, raporton se objekti ajror fluturoi “me një shpejtësi të jashtëzakonshme, i shoqëruar nga një zhurmë e madhe”.

Sakaq, në përputhje me procedurat për të tilla raste, komandanti operacional i Forcave të Armatosura polake ka mobilizuar ushtrinë dhe burimet në dispozicion, ndërsa Presidenti polak Andrzej Duda ka thirrur një takim urgjent me udhëheqjen ushtarake të vendit.
Në të njëjtën kohë, zëdhënësi i komandës operative, Jacek Goriševski, ka bërë të ditur për TVN se ushtria ka ngritur nivelin e gatishmërisë së forcave të saj dhe sistemeve të mbrojtjes ajrore, ndërsa po punohet për të përcaktuar rrethanat e incidentit.

Megjithatë, Goriszewski nuk e përcaktoi nëse objekti ajror ra në territorin e Polonisë apo u largua nga hapësira e saj ajrore, por mediat raportojnë se kërkimi i pjesëve të objektit të paidentifikuar është duke u zhvilluar në afërsi të Zamošće.

Ky nuk është rasti i parë që objekte të paidentifikuara kanë fluturuar në territorin e Polonisë. Në nëntor të vitit të kaluar, një raketë ra në Przewodów në lindje të Polonisë dhe dy persona humbën jetën në këtë incident.

MARKETING