Polonia do të rrisë në rreth 10 mijë numrin e ushtarëve në kufirin me Bjellorusinë

Polonia do të rrisë në rreth 10 mijë numrin e ushtarëve në kufirin me Bjellorusinë

Ministri i Mbrojtjes së Polonisë, Mariusz Blaszczak tha se prania ushtarake në kufirin me Bjellorusinë do të rritet në rreth 10 mijë, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë për radion shtetërore polake, Blaszczak tha se personeli ushtarak i vendit në kufirin me Bjellorusinë do të afrohet me numrin e ushtarëve të vendosur në rajon në vitin 2021.

“Numri i ushtarëve në kufi do të rritet. Do jetë rreth 10 mijë. Katër mijë prej tyre do të mbështesin rojën kufitare. Ndërsa pjesa tjetër prej 6 mijë ushtarësh do të jenë në pritje. Këta ushtarë do të zhvillojnë aftësitë e tyre në garnizonet e ngritura në lindje të vendit”, theksoi Blaszczak.

Në kufirin Poloni-Bjellorusi aktualisht krahas 2 mijë ushtarëve polakë, në detyrë janë edhe qindra policë dhe roje kufitare. Zyrtarët polakë në ditët e fundit dhanë deklarata të ndryshme lidhur me dërgimin e ushtarëve në kufi.

Zëvendësministri i Brendshëm i Polonisë, Maciej Wasik në një deklaratë në fillim të javës tha se kanë kërkuar 1 mijë ushtarë shtesë në kufi. Më pas ministri Blaszczak mori vendimin për të dërguar në rajon 2 mijë ushtarë.

Rritja e numrit të ushtarëve në kufirin me Bjellorusinë buron së pari për shkak të valës së emigrantëve që përpiqen të kalojnë nga Bjellorusia në Poloni dhe për shkak të rritjes së tensioneve në rajon nga sulmet e kryera nga Bjellorusia me gurë, tulla dhe plumba të tjerë ndaj oficerëve polakë që patrullojnë në rajon.

Polonia është e shqetësuar nga prania e ushtarëve mercenarë të grupit “Wagner” të lidhur me Rusinë dhe shkeljen e hapësirës ajrore të Polonisë nga helikopterët bjellorusë.

Gjithashtu rritet edhe frika se autoritetet bjelloruse mund të përpiqen të kalojnë sërish nga kufiri emigrantët duke përsëritur krizën e emigrantëve të vitit 2021, ku qindra njerëz u përpoqën të futeshin me forcë në Poloni.

MARKETING