Polonia: 55 të dyshuar të arrestuar në muajt e fundit për spiunazh të lidhur me Rusinë

Polonia: 55 të dyshuar të arrestuar në muajt e fundit për spiunazh të lidhur me Rusinë

Autoritetet polake njoftuan të martën se 55 persona janë ndaluar muajt e fundit nën dyshimin e veprimtarive të ndërmarra në favor të inteligjencës ruse, duke rritur numrin nga tetë të tjerë të raportuar më parë, transmeton Anadolu.

Zëdhënësi i ministrit përgjegjës për koordinonimin e shërbimeve speciale të Polonisë, Jacek Dobrzynski tha se një sërë hetimesh më të gjera dhe të njëkohshme kanë çuar në këtë total më të lartë. Ai nuk ofroi ndarje sipas rasteve ose akuzave.

Më herët gjatë ditës, kryeministri polak Donald Tusk njoftoi se Agjencia e Sigurisë së Brendshme (ABW), duke punuar me shërbime të tjera, ka ndaluar tetë persona në pjesë të ndryshme të vendit ditët e fundit nën dyshimin e përgatitjes së akteve të sabotazhit. Duke postuar në platformën sociale amerikane X, Tusk tha se rastet janë në vazhdim dhe se po ndërmerren hapa të mëtejshëm operativë.

Sipas Dobrzynskit, personat e ndaluar kanë të bëjnë me disa hetime të veçanta dhe të shumta mbi aktivitetin e inteligjencës ruse. Në mesin e tyre gjenden Danylo H., një shtetas ukrainas 21-vjeçar i cili është arrestuar pranë Varshavës më 16 tetor nën dyshimin e spiunazhit në Poloni dhe Rumani. Ky arrestim është kryer në bashkëpunim me Shërbimin Rumun të Inteligjencës (SRI). Dy shtetas të tjerë ukrainas raportohet se janë ndaluar në Bukuresht në një rast të lidhur të udhëhequr nga Rumania.

Zyrtarët nuk kanë zbuluar ende objektiva, afate kohore ose vendime specifike për akuzat në lidhje me ndalimet në Poloni.

Që nga pushtimi rus i Ukrainës në shkurt 2022, Polonia ka qenë një korridor kyç tranziti për ndihmën ushtarake perëndimore dhe dërgesat humanitare, gjë që e bën vendin objektiv spiunazhi dhe sabotazhi që synojnë linjat hekurudhore, depot, nyjet e energjisë dhe furnizuesit e mbrojtjes.

Bashkëpunimi ndërkufitar me SRI-në e Rumanisë si dhe me shërbimet baltike dhe çeke është intensifikuar.

ABW-ja dhe Shërbimi i Kundërzbulimit Ushtarak (SKW) mund të hetojnë spiunazhin dhe sabotazhin sipas Kodit Penal të Polonisë dhe statuteve kundër spiunazhit. Gjykatat mund të vendosin paraburgim ndërsa rastet mbeten të klasifikuara.

Varshava ka paralajmëruar se Rusia po intensifikon operacionet e fshehta dhe të ndikimit brenda shteteve të NATO-s.

MARKETING