Policia e Tetovës pengon një vajzë të bëj vetëvrasje, arrestohet një person i dyshuar për ndërmjetësim për prostitucion

Policët nga SPB Tetovë kanë shpëtuar një vajzë të re e cila tentoi të vetëvritej duke u hedhur nga dritarja e një moteli në Tetovë.
Ngjarja ka ndodhur sot rreth orës 14:35, pasi qytetari L.K. raportoi në polici për një mosmarrëveshje me një femër e cila nuk dëshironte të largohej nga moteli.
Në momentin kur njësitet policore mbërritën në vendngjarje, konstatuan se një vajzë qëndronte në buzë të dritares, duke kërcënuar se do të hidhej ose do të vetëdëmtohej me një mjet të mprehtë që mbante në dorë.
Me urdhër të prokurorit publik, policia hapi me forcë derën e dhomës dhe arriti ta ndalojë vajzën nga veprimi i saj.
Ajo u dërgua menjëherë në Spitalin Klinik të Tetovës për ndihmë mjekësore.
Ndërkohë, personi që raportoi rastin, L.K., është ndaluar nga policia nën dyshimin për ndërmjetësim në prostitucion. Gjatë ndërhyrjes, një efektiv policor ka pësuar lëndime të lehta.
Pas përfundimit të hetimeve, do të ndërmerren masat përkatëse ligjore.