Policia e Prokuroria me detaje për operacionin në Kaçanik: Shtatë të arrestuar për vrasjen e rreshterit Muhamed Lika

Policia e Prokuroria me detaje për operacionin në Kaçanik: Shtatë të arrestuar për vrasjen e rreshterit Muhamed Lika

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka zbuluar detaje të reja lidhur me operacionin e zhvilluar sot në orët e hershme të mëngjesit në Kaçanik, në kuadër të hetimeve për vrasjen e rreshterit Muhamed Lika.

Sipas Hoxhës, operacioni është realizuar me autorizim të Prokurorisë dhe ka përfshirë bastisjen e nëntë lokacioneve, shumica në qytetin e Kaçanikut dhe një tjetër në një fshat të komunës së Klinës.

“Gjatë këtij operacioni janë bastisur 9 lokacione. Shumica në Kaçanik dhe një në një fshat të Klinës. Gjatë operacionit janë arrestuar shtatë persona, të cilët dyshohet se kanë marrë pjesë në vrasjen e rreshterit Muhamed Lika”, deklaroi Hoxha para mediave.
Ai theksoi se operacioni është kryer pa asnjë incident dhe pa persona të lënduar, as nga të arrestuarit dhe as nga forcat policore që morën pjesë në aksion.

“Gjatë operacionit nuk ka pasur ndonjë incident dhe asnjë të lënduar as nga të arrestuarit, as nga forcat policore”, theksoi ai.
Hoxha bëri të ditur edhe materialet e sekuestruara gjatë këtij operacioni të gjerë, të cilat tashmë janë në duart e hetuesve dhe do të shërbejnë për zbardhjen e rastit.

“Janë sekuestruar dy vetura, telefona celularë, disa laptopë, një armë zyrtare me 30 fishekë, maska, fishekë të tjerë, dylbi si dhe dokumente të ndryshme që do t’i shërbejnë hetimit”, u shpreh Hoxha.

Në këtë operacion, përveç Policisë së Ferizajt, asistencë ka dhënë edhe Njësia Speciale Operative, ndërsa në total kanë marrë pjesë rreth 170 zyrtarë policorë.

Operacioni vjen si përgjigje ndaj vrasjes së rëndë të rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamed Lika, një rast që ka tronditur opinionin publik dhe ka nxitur mobilizimin maksimal të institucioneve të sigurisë./Telegrafi/

MARKETING