Policia britanike arreston protestues pasi hyn në fuqi ndalimi i grupit “Palestine Action”

Dhjetëra protestues u arrestuan në Londër sot, pasi hyri zyrtarisht në fuqi ndalesa për grupin “Palestine Action”, raporton Anadolu.
Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, për herë të parë, do ta ripërcaktojë ligjërisht grupin protestash jo të dhunshme, Palestine Action, si një organizatë terroriste, pasi një sfidë ligjore e minutës së fundit për të pezulluar ndalimin e grupit sipas ligjeve të antiterrorit dështoi në një gjykatë të lartë të premten.
Që nga kjo e shtunë, anëtarësimi në Palestine Action, ose shfaqja e mbështetjes për të, do të bëhet vepër penale në Britani.
Policia Metropolitane konfirmoi të shtunën pasdite se oficerët po i përgjigjeshin një demonstrate në Sheshin e Parlamentit dhe kishin filluar të kryenin arrestime.
“Grupi tani është i ndaluar dhe shprehja e mbështetjes për ta është vepër penale”, tha policia në një deklaratë. “Po bëhen arrestime”, shtoi ajo.
Policët kanë arrestuar më shumë se 20 persona të dyshuar për vepra penale sipas Aktit të Terrorizmit të vitit 2000.
“Këtë fundjavë në Londër po zhvillohen një numër ngjarjesh dhe kushdo që merr pjesë duhet të jetë i vetëdijshëm se oficerët që po i mbikëqyrin këto ngjarje do të veprojnë aty ku kryhen vepra penale, duke përfshirë ato që lidhen me mbështetjen e grupeve ose organizatave të ndaluara”, tha më tej policia.
Deputetët votuan me shumicë dërrmuese në favor të vendimit të Sekretares së Brendshme Yvette Cooper për të ndaluar grupin sipas Aktit të Terrorizmit të vitit 2000 të mërkurën. Dhoma e Lordëve gjithashtu e ka miratuar këtë veprim.
Ekspertët e OKB-së, organizatat e lirive civile, figurat kulturore dhe qindra avokatë e kanë dënuar ndalimin si “drakonian”.
Ata argumentojnë se ai vendos një precedent të rrezikshëm duke ngatërruar protestën me terrorizmin.
Palestine Action tha se po kërkon një “apel urgjent për të parandaluar një makth distopik, i cili kriminalizon mijëra njerëz brenda natës”.
Një seancë tjetër gjyqësore është planifikuar për 21 korrik, kur Palestine Action do të aplikojë për leje për të nisur një shqyrtim gjyqësor në një përpjekje për të përmbysur urdhrin.
Nëse shqyrtimi nuk është i suksesshëm, të qenët anëtar ose kërkimi i mbështetjes për grupin që proteston kundër gjenocidit izraelit në Gaza do të sjellë një dënim maksimal prej 14 vitesh burg.
Ndërkohë, aktivistët pro Palestinës ndërprenë paradën e Krenarisë në Londër duke mbuluar një karrocë me bojë të kuqe.
Katër protestues nga grupi “Youth Demand” shënjestruan një kamion që i përkiste kompanisë amerikane CISCO, duke e akuzuar firmën për “gjenocid” dhe duke pretenduar se “nuk ka vend” në këtë ngjarje.
Incidenti vjen më pak se 24 orë pasi grupi i protestave Palestine Action u ndalua zyrtarisht dhe u shpall organizatë terroriste.