Polakët zgjedhin të dielën, Trzaskowski dhe Nawrocki në balotazh në garën për Presidencën

Polakët zgjedhin të dielën, Trzaskowski dhe Nawrocki në balotazh në garën për Presidencën

Të dielën, qytetarët polakë do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur presidentin e ardhshëm në balotazhin më të ngushtë që nga rënia e komunizmit.

Zgjedhjet vendosin përballë njëri-tjetrit dy kandidatë që përfaqësojnë vizione krejtësisht të kundërta për të ardhmen e vendit.

Në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, presidenti aktual konservator Andrzej Duda fitoi me një diferencë minimale ndaj kandidatit pro-evropian Rafał Trzaskowski, kryebashkiak i Varshavës, me rezultat 51% kundër 49%.

Këtë herë, gara është edhe më e ngushtë. Sondazhet e fundit tregojnë një garë të barabartë midis Trzaskowski-t dhe kandidatit të djathtë nacionalist Karol Nawrocki, një historian i mbështetur nga partia Ligj dhe Drejtësi (PiS), që qeverisi Poloninë deri në vitin 2023.

Rezultati i zgjedhjeve do të jetë vendimtar për të ardhmen politike të vendit. Nëse Trzaskowski fiton, kjo do t’i japë mbështetje qeverisë aktuale të udhëhequr nga Donald Tusk për të zbatuar axhendën e saj pro-evropiane dhe reformuese. Në të kundërt, një fitore e Nawrockit mund të sjellë bllokim institucional, pasi presidenti polak ka fuqinë për të vënë veton ndaj ligjeve të miratuara nga Parlamenti.

Një moment simbolik i raundit të parë të votimit ndodhi në komunën rurale Siekierczyn, në jugperëndim të Polonisë, ku rezultati u vendos me vetëm një votë diferencë – duke e shndërruar këtë zonë të vogël me rreth 4,265 banorë në epiqendër të diskutimit kombëtar.

“Ndoshta keni dëgjuar shpesh ‘vota ime nuk bën diferencë’. Por shikoni Siekierczyn-in,” tha Trzaskowski në një mesazh drejtuar qytetarëve në rrjetet sociale, duke i ftuar të dalin në votime për përballjen  vendimtare.

MARKETING