Petkoviqi pas takimit me Lajçakun: Asociacioni, rruga e vetme për normalizim me Kosovën
Shefi i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq tha se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është e vetmja rrugë përpara përmes së vilës mund të arrihet normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Këto komente, Petkoviq i bëri në profilin e tij në Instagram, pas një takimi që ka zhvilluar me emisarin special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në Beograd.
Tutje, Petkoviq tha se me emisarin special ka biseduar për “një sërë veprimesh ekslauese në dëm të popullit serb” në Kosovë të cilat, sipas tij, “çdo ditë po i ndërmerr” kryeministri Albin Kurti.
“Me Ndërmjetësin Special të BE-së për Dialogun, @miroslav.lajcak, fola për situatën politike dhe të sigurisë në Kosovë në dritën e lëvizjeve të shumta përshkallëzuese në dëm të popullit serb që Albin Kurti kryen në baza ditore. I përcolla atij vendosmërinë e fortë të Beogradit për të vazhduar dialogun në të cilin është e mundur të kërkohen kompromise dhe zgjidhje të qëndrueshme në zonën e Kosovës, në krahasim me veprimet njëanshme dhe të dhunshme që Prishtina ka përdorur. Formimi i Bashkësisë së Komunave Serbe, siç është rënë dakord në Bruksel, mbetet rruga e vetme përpara me të cilën është e mundur të arrihet normalizimi i marrëdhënieve. Dhe ne nuk do të biem pre e trukeve dhe përpjekjeve për të manipuluar”, shkroi Petkoviq.
Lajçaku gjatë ditës në Beograd u takua edhe me presidentin e këtij vendi, Alleksandar Vuçiq dhe me ministrin e Jashtëm serb, Marko Gjuriq.
Në Serbi, ai shkoi pas takimeve që i zhvilloi në Kosovë një ditë më parë me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, me përfaqësues ndërkombëtarë të akredituar në Kosovë, si dhe me komandantin e KFOR-it, Ozkan Ulutash.