Përmbytjet shkaktuan dëme materiale në disa komuna të Kosovës
Reshjet e dendura të shiut dhe përmbytjet në ditët e fundit në Kosovë, kanë shkaktuar dëme materiale në disa prej pjesëve të territorit të vendit.
Sipas raporteve të deritanishme të Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, komunat e prekura nga vërshimet e djeshme janë: Fushë Kosova, Lipjani, Obiliqi, Drenasi, Podujeva, Shtimja, Graçanica, Gjakova, Prizreni, Suhareka, Malisheva, Rahoveci, Mamusha, Dragashi, Mitrovica, Vushtrria, Skenderaj, Klina, Istogu, Juniku, Deçani dhe Peja.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, të mërkurën tha se ekipet operative vazhdojnë të jenë në terren, duke monitoruar gjendjen dhe duke qëndruar në gatishmëri të plotë.
“Aktualisht, situata sot është nën kontroll. Përveç dëmeve materiale në infrastrukturë dhe prona private, fatmirësisht nuk ka raste të lëndimeve serioze”, tha Kurti.
Në një nga komunat më të prekura nga vërshimet, në Drenas, qindra shtëpi janë përballur me ujë dhe baltë që kanë kapërcyer mbi pragun e shtëpive duke shkaktuar probleme të ndryshme.
Në afërsi të Stacionit të Autobusëve në qendër të Drenasit, uji ka shkaktuar dëme në dhjetëra lokale, ka bllokuar disa autobusë ndërsa ka ngadalësuar komplet qarkullimin e automjeteve, të cilat po lëvizin me mbikëqyrjen e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
Gjithashtu, ekipi i Anadolus ka hasur në rrugë edhe ekipe të zjarrfikësve të cilët qarkulluan për të ndihmuar familjet më në nevojë.
Gjendje jo e mirë është po ashtu në fshatin Zabel i Ulët të Drenasit, ku një pjesë e madhe fushore është mbuluar me ujë dhe veturat qarkullojnë me vështirësi, ndërsa uji u ka bërë problem shtëpive afër që të dalin jasht dhe qarkullojnë në përgjithësi.
Në qendër të Drenasit ka qenë i pranishëm gjatë ditës edhe kryetari i Komunës, Ramiz Lladrovci, i cili ka parë nga afër vështirësitë me të cilat po përballen qytetarët duke u dhënë mbështetje atyre me kapacitetet lokale.
Lladrovci ka thënë se ka marrë mbështetje edhe nga komandantja supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), presidentja Vjosa Osmani, e cila ka garantuar për gatishmërinë e FSK-së, në rast nevoje për mbështetje.
Komuna e Drenasit bashkë me atë të Skenderajt janë dy nga komunat më të prekura të pjesës qendrore të territorit të Kosoës nga përmbytjet.
Situatë të vështirë me vërshime pati në disa rajone të Kosovës, përfshirë Gjakovën, Junikun, Deçanin, Malishevën, Rahovecin, Klinën.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) njoftoi se vërshimet u shkaktuan si rezultat i intensitetit të reshjeve ku disa lumenj dhe përrenj kanë dalë nga shtretërit e tyre, duke krijuar rrezik për infrastrukturën dhe lëvizjen e qytetarëve.

