Përmbytje në disa zona të Kosovës, disa komuna shtynë rinisjen e mësimit

Përmbytje në disa zona të Kosovës, disa komuna shtynë rinisjen e mësimit

Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) raportoi për përmbytje në disa pjesë të Kosovës, teksa shtoi se me nisjen e reshjeve të borës, zbutet rreziku nga përmbytjet, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Raporti i publikuar më 11 janar lidhur me situatën me përmbytje në Kosovë përfshin periudhën nga ora 22:00 e natës paraprake deri në orën 08:00 të së dielës.

Për shkak të përmbytjeve, Komuna e Malishevës, përmes një njoftimi të ndarë, shtyu për dy ditë, përkatësisht për 14 janar nisjen e gjysmëvjetorit të dytë të shkollës.

Në Mitrovicë, pas reshjeve të shiut është rritur niveli i lumenjve dhe autoritetet kanë konstatuar se ka rrezik që lumi Sitnica të dalë nga shtrati.

“Është paraqitur kërkesë urgjente pranë Qendrës së Situatave të Këshillit të Sigurisë së Kosovës për angazhimin e FSK-së”, tha AME-ja.

Sipas njoftimit, operacioni për parandalimin e daljes së lumit nga shtrati ka përfunduar me sukses në orën 05:30 dhe “ janë vendosur rreth 200 metra mur mbrojtës me thasë zalli”.

Në Pejë, ndërkaq, janë rrezikuar pesë shtëpi nga përmbytjet dhe aty është intervenuar. Në këtë komunë raportohet se gjendja në rrugën për në Rugovë është e kalueshme, por “me kujdes”, ndërkaq drejt Kullës që çon për në Mal të Zi mund të kalojnë vetëm automjete të lehta.

Në Gjakovë, situata me përmbytje është raportuar e qetë, por ka pasur bllokim të rrugës në fshatin Vogovë për shkak të shembjes së dheut.

AME tha se në Prishtinë në rrugën e Qagllavicës dhe nënkalimit aty ka pasur përmbytje dhe shumica e përmbytjeve në kryeqytet kanë qenë si pasojë e bllokimit të kanalizimeve.

Në Fushë-Kosovë ka pasur përmbytje në fshatrat Lismir, Kuzmin dhe Sllatinë të Madhe. Në Obiliq u raportua për përmbytje në dalje të autostradës në fshatin Mazgit, dhe në disa rrugë të tjera. Në komunën e Drenasit, është raportuar për përmbytje në disa zona.

Përmbytje është raportuar edhe në Graçanicë. Ndërkaq, Në Lipjan dhe Podujevë dhe Shtime. Po ashtu, nuk ka pasur intervenime dhe rrugët raportohen të kalueshme në Prizren, Suharekë, Malishevë, Rahovec, Dragash dhe Mamushë.

Ditëve të fundit, disa zona të Kosovës u përballën me përmbytje që vlerësohet se kanë shkaktuar dëme në pronën private dhe infrastrukturën rrugore. Një ditë më parë, për shkak të reshjeve të shiut, autoritetet raportuan për bllokimin e disa rrugëve që u përmbytën.

MARKETING