Përfundon takimi në Bruksel, Kosova dhe Serbia do të dalin me propozimet e tyre për zgjidhjen e çështjes së dinarit
Bisedimet në Bruksel mes kryenegociatorëve të Kosovës Besnik Bislimi dhe atij të Serbisë Petar Petkoviq përfunduan me zotimet e palëve që, deri më 22 mars, t’i dorëzojnë propozimet e tyre për zgjidhjen e çështjes së përdorimit të dinarit serb në Kosovë.
Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se në takim është diskutuar për dy tema.
“Ftesa iu ka pasur dy tema në agjendë. Tema e parë ka pasur avancimi i marrëveshjes bazike e aneksit implementues, si dhe tema e dytë është çështje të tjera”, tha ai.
“U dakorduam që deri të premten secila pale të sjellë propozimin e saj se si e sheh zgjidhjen afatshkurtër dhe se si të fillohet zgjidhja afatgjate e dinarit. Dhe pastaj javën e ardhshme do të mblidhemi sërish të diskutojmë se a mund të gjejmë hapësire që këto dy propozime të bëhen një propozim”, ka thënë Bislimi, transmeton RTK.
Bislimi tha se “ne në vazhdimësi duam të dëgjojmë edhe nga pala serbe se a kemi marrëveshje dhe a jemi të përkushtuar ta zbatojmë në tërësi”.
“Iu bishtnua përgjigjes disa herë. Në fund tha se për Serbinë është problematike marrëveshja pasi ka nene të cilat merren me statute, sidomos ato nene që tregojnë për respektimin e integritetit territorial, për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe të ngjashme. Në fakt, na u tha që Serbia nuk e njeh marrëveshjen si të tillë. Ai tha se për Serbinë është e pamundur të nënshkruhet një marrëveshje me Kosovën. Kur pastaj vetë pala serbe iu referua marrëveshjes së vitit 2013 të cilën e kishin nënshkruar, por ai tha se ne nënshkruajmë marrëveshje vetëm aty ku s’diskutohen statutet”, ka thënë Bislimi.
Kryenegociatori i Kosovës bëri me dije se u konstatua nga Lajçak se Serbia ka problem të lëviz në këtë drejtim.
Për javën e ardhshme, ai paralajmëroi një takim tjetër, për të parë nëse propozimet e tyre mund të shndërrohen në një të vetëm që, siç tha, “do të ishte i pranueshëm për Kosovën”.
Duke folur pas takimit, Petkoviq tha se gjëja e parë për të cilën këmbënguli pala serbe ishte themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, sepse kjo, sipas tij, do ta zgjidhte edhe çështjen e financimit të të gjitha institucioneve serbe në Kosovë”.
Petkoviq tha se është gjithashtu e rëndësishme që të gjendet një zgjidhje, e cila do të mundësonte vazhdimin e funksionimit të bankës së Serbisë në Kosovë, Kursimorja e Postës.
Ai shtoi se pret që bisedimet të vazhdojnë “në frymë konstruktive” – ndoshta nga fillimi i javës së ardhshme.
Bislimi dhe Petkoviq, u takuan të martën në Bruksel, me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të posaçëm të BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Duke folur pas takimit, Petkoviq tha se gjëja e parë për të cilën këmbënguli pala serbe ishte themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, sepse “kjo do ta zgjidhte edhe çështjen e financimit të të gjitha institucioneve serbe në Kosovë”.
Me një rregullore të Bankës Qendrore, Kosova ndaloi përdorimin e dinarit serb nga 1 shkurti, duke e bërë euron mjet të vetëm pagese.
Çështja, pos që zemëroi Serbinë, nxiti mospajtime edhe mes Qeverisë së Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare, pasi komuniteti serb në Kosovë, prej vitesh, merr pagesa në dinarë nga buxheti i Serbisë.
Diplomatë perëndimorë i kërkuan Kosovës që ta pezullojë rregulloren, për t’u dhënë kohë qytetarëve të prekur që të përshtaten me praktikën e re.
Bashkimi Evropian paralajmëroi një ditë më herët se do të shtojë trysninë mbi dy vendet për të zbatuar marrëveshjen e arritur një vit më parë për normalizimin e marrëdhënieve.