Për marrëveshjen Kosovë-Serbi, Kurti: Duhet trysni shtesë mbi Beogradin

Për marrëveshjen Kosovë-Serbi, Kurti: Duhet trysni shtesë mbi Beogradin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Serbia është ajo që e ka refuzuar propozimin franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe tani pala ndërkombëtare duhet të merret me të, ndërkohë që Kosova e ka konsideruar këtë plan “si bazë të mirë për diskutimet e mëtejshme”, raporton Anadolu Agency (AA).

Kurti pas një takimi me kryetarët e komunave tha se qëllimi i Kosovës është që të normalizohen raportet me Serbinë duke pasur në fokus një marrëveshje finale, ligjërisht të obligueshme me qendër njohjen reciproke.

“Planin e Bashkimit Evropian, i mbështetur nga Franca dhe Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e kemi konsideruar si bazë të mirë për diskutimet e mëtutjeshmë, ndërkohë që Serbia e ka refuzuar atë në mbledhjen e Këshillit Nacional të Sigurisë të mbajtur në Beograd me 27 tetor 2022, me konkluzion unanim të refuzimit të këtij propozimi që është bërë publik nga ministri i jashtëm i Serbisë (Ivica) Daçiq, i cili ka qenë përndryshe zëdhënës i partisë së Millosheviqit”, theksoi Kurti.

Kurti tha se meqë pala serbe e ka refuzuar planin franko-gjerman, trysnia ndërkombëtare duhet të jetë mbi ta.

Ai kujtoi që njohjen reciproke e ka përmendur edhe kancelari gjerman Olaf Scholz, fillimisht në Beograd e më pas edhe në Prishtinë.

“Ajo çfarë duhet të ndodhë për këtë marrëveshje (planin franko-gjerman) është një trysni shtesë mbi Beogradin i cili duke bërë marrëveshje me Federatën Ruse për bashkërendim të politikës së jashtme e goditi në mënyrë të paskrupullt politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, që kërkon sinkronizim, harmonizim të të gjitha vendeve anëtare dhe të atyre të cilët aspirojnë që të bëhen anëtare në Bashkimit Evropian”, theksoi Kurti.

Të mërkurën në Kosovë pritet të zhvillojë vizitë këshilltari i lartë i Departamentit të Shtetit i SHBA-së, Derek Chollet, i cili pritet të flasë me udhëheqës të institucioneve të larta në Kosovë për tensionet e fundit midis Kosovës dhe Serbisë.

Kurti, i pyetur për vizitën e Chollet në Kosovë, ka thënë se vizita e tij do të ndodhë në një moment të rëndësishëm ku afrohet edhe një-vjetori i luftës në Ukrainë, ku siç tha ai “Serbia jo vetëm që nuk i ka vendosur sanksione dhe nuk e ka dënuar agresionin rus por ka bërë tri marrëveshje shumë të dëmshme me Rusinë në vitin 2022”.

 

MARKETING