Pentagon: Dhjetë emigrantë të rrezi’kshëm dërgohen në Guantanamo

Pentagon: Dhjetë emigrantë të rrezi’kshëm dërgohen në Guantanamo

Dhjetë emigrantë të paligjshëm “me rrezikshmëri të lartë” janë dërguar në Guantanamo dhe po mbahen në bazën amerikane në Kubë, tha Pentagoni të mërkurën, teksa Shtëpia e Bardhë më pas tha se bëhet fjalë për anëtarë të një bande të fuqishme.

Javën e kaluar presidenti amerikan, Donald Trump, urdhëroi përgatitjen e një “ndërtese për emigrantë” me kapacitet prej 30.000 personash në këtë bazë detare amerikane.

Baza në Guantanamo njihet kryesisht si qendër ndalimi për të dyshuarit për terrorizëm, por në të janë mbajtur edhe emigrantë.

“Këta dhjetë individë që paraqesin rrezik të madh aktualisht po strehohen në ambientet e lira të qendrës së ndalimit”, tha Pentagoni.
“”Agjencia amerikane për emigracion dhe dogana po ndërmerr këto masa për të garantuar ndalim të sigurt të këtyre individëve deri kur ata të mund të transportohen në shtetin e tyre të origjinës apo në një destinacion tjetër të përshtatshëm”, u shtua në njoftimin e Pentagonit.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, më pas tha se avioni që bartte emigrantët kishte arritur në Kubë dhe bëhej fjalë për dhjetë anëtarë “të bandës ndërkombëtare Tren de Aragua”.

Administrata e presidentit Trump ka nisur të zbatojë atë që e quan përpjekje për të luftuar emigrimin e paligjshëm, që përfshin bastisje të emigrantëve, arrestime dhe dëbime me avionë ushtarakë.

Qendra e ndalimit në Guantanamo ishte hapur pas sulmeve terroriste në SHBA të 11 shtatorit 2001 dhe është përdorur për mbajtjen e të ndaluarve që janë kapur gjatë luftërave dhe operacioneve të tjera që pasuan.

MARKETING