Peach: Autorët e sulmit në Banjskë të mbahen përgjegjës, kërkojmë hetime të plota dhe kthim në dialog

Peach: Autorët e sulmit në Banjskë të mbahen përgjegjës, kërkojmë hetime të plota dhe kthim në dialog

I dërguari i posaçëm i Kryeministrit britanik për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, teksa e ka dënuar sulmin e 24 shtatorit në Banjskë, të njëjtin e cilësoi si “ incident shumë serioz”, duke kërkuar hetime të plota për të përcaktuar përgjegjësinë.

Në një intervistë dhënë “Zërit të Amerikës”, Peach thotë se qëndrimi i Britanisë së Madhe nuk është krijimi i një Republika Srpska tjetër në Kosovë, por i një asociacioni që merr parasysh interesat e të gjitha palëve dhe është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“Ishte një incident shumë serioz, të cilin vazhdojmë jo vetëm ta dënojmë, por të bëjmë thirrje për një hetim të mirëfilltë dhe të vërtetë policor. Ende po mundohemi të zbulojmë faktet”, u shpreh Peach.

Sipas tij, ka nevojë të vërtetë për siguri të kufirit dhe ka nevojë për kontrolle të rregullta policore nga dyja anët e kufirit.

“Ata që kryen sulmin ndaj paqeruajtësve të NATO-s në muajin maj dhe sulmin që shkaktoi humbje të jetëve të njerëzve më 24 shtator duhen mbajtur përgjegjës. Përvoja jonë e gjatë nëpër vende të ndryshme të botës na mëson që policisë duhet t’i jepet përparësi. I nxisim të gjithë të ulin retorikën dhe të përqendrohen në hetime të mirëfilltë për të përcaktuar faktet”, shtoi Peach.

Teksa pyetet se a do të ishte e mundur të ndodhte një sulm i kësaj shkalle, pa përkrahjen e Beogradit, Peach thotë  ndonëse nuk do të donte të spekulonte, megjithatë nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, është e rëndësishme të nxitet nevoja për dialog ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Ende nuk e dimë pa u zbardhur faktet shkallën e përkrahjes së Beogradit, siç po e quani ju. Andaj nuk dua të spekuloj përderisa të mos kemi më shumë informacion. Por, nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, është e rëndësishme të mundohemi të nxisim nevojën për dialog ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Kur pyetet se pas këtij incidenti a mund të vazhdohet me dialog sikur nuk ka ndodhur asgjë, Peach thotë se kjo mund të jetë frazë e ngarkuar në aspektin retorik.

“’Të vazhdohet sikur mos të ketë ndodhur gjë” mund të jetë frazë e ngarkuar në aspektin retorik. Dua të them se mes shteteve nuk ka kurrë arsye që të mos bisedohet. Natyrisht, ka gjendje lufte dhe gjendje konflikti dhe situate e tanishme mes Kosovës dhe Serbisë nuk është asnjëra prej tyre. Nuk ka asnjë arsye që Kosova dhe Serbia të mos të flasin me njëra-tjetrën në një dialog, që ne e mbështesim”.

Sa i përket krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Peach thotë se ndonëse Londra e mbështet dialogun megjithatë “nuk na përket ne të themi se çfarë forme duhet të marrë ai”.

“Ne mbështesim dialogun, por ne nuk do të ulemi dhe ta hartojmë dialogun. Por, kjo është çështje e pazgjidhur prej kohësh dhe qëndrimi ynë parimor është se, asociacioni nuk është – dhe po e përsëris nuk është – krijimi i një Republika Srpska të dytë. Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe duhet të marrë parasysh interesat e të gjitha palëve. Do të vazhdojmë ta mbështesim dialogun dhe procesin që çon drejt normalizimit, që është synimi madhor”.

Në anën tjetër, derisa konfliktet janë evidente në sferën e botës, marrë parasysh ngjarjet në Lindjen e Mesme, Peach nuk mendon se ka një një lidhje në shikim të parë ndërmjet ngjarjeve në Lindje të Mesme, që përbëjnë një tragjedi për të gjitha palët e përfshira dhe situatës në Kosovë dhe ndërmjet Kosovës e Serbisë.

“Nuk mendoj se ka Por, do të them se që kur Presidenti Putin filloi luftën e jashtëligjshme kundër Ukrainë në shkurt të vitit 2022, nuk ka dyshim se në Gadishullin Ballkanik kujtimet janë ngjallur dhe ka më shumë tensione. Dhe kjo është për shkak të natyrës së asaj që ka ndodhur dhe mënyrës se si lufta në Ukrainë është zhvilluar. Por, duhet po ashtu të jemi të qartë si brenda bashkësisë ndërkombëtare dhe ndër miq, se duhet të vazhdojmë të bisedojmë me miqtë në rajon, me të gjithë dhe të inkurajojmë dialogun në rajon”.

Ai tha se lufta e Rusisë në Ukrainë ka ngjallur kujtimet e së kaluarës dhe ka shtuar tensionet në Ballkan dhe se Londra mbetet e përkushtuar ndaj procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që të çojë në një formë normalizimi sa më shpejt.

 

MARKETING