PDE: Kuvendi Qendror hap rrugën për bashkim me BDI-në
Kuvendi Qendror i Partisë Demokratike Evropiane (PDE), në mbledhjen e mbajtur sonte, shqyrtoi ftesën e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) lidhur me bashkimin e forcave politike në kuadër të një formacioni të përbashkët politik.
Duke vlerësuar momentumin aktual politik si të rëndësishëm për unifikimin sa më të gjerë të faktorit politik shqiptar, si dhe nevojën për një artikulim më të fuqishëm politik, veçanërisht pas Kongresit të fundit të BDI-së, ndryshimeve të ndodhura dhe rezolutave të miratuara, Kuvendi Qendror i PDE-së konsideron se duhet t’i jepet një shans procesit të bashkimit në kuadër të një partie politike të vetme.
Sipas njoftimit të PDE-së, qëllimi i këtij bashkimi do të ishte krijimi i një subjekti politik që do të vazhdojë të jetë zëri kryesor i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Në këtë drejtim, Kuvendi Qendror ka autorizuar kryetarin e partisë që të vazhdojë bisedimet me kryetarin e BDI-së, me synim gjetjen e formës dhe modelit më të përshtatshëm për përmbylljen e këtij procesi.

