Pas sulmeve të sotme – Trump: I gatshëm t’i vendosim sanksione Moskës

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi sot se ai ishte i gatshëm që të ndërmerreshin hapa për të vendosur sanksione ndaj Moskës pas sulmeve të fundit të Rusisë në Ukrainë.
Duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve jashtë Shtëpisë së Bardhë, Trump theksoi se ai është ‘i gatshëm’ të vendoste më shumë sanksione kundër Rusisë, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Ndërkaq, më herët Sekretari i Thesarit i Shteteve të Bashkuara Scott Bessent bëri të ditur gjithashtu se SHBA-të janë të gatshme të bashkëpunojnë me vendet evropiane për të vendosur sanksione shtesë për ta çuar ekonominë e Rusisë në ‘kolaps total’.
Bessent vuri në dukje se SHBA është e hapur për të rritur presionin ndaj Rusisë, por i duhet partnerëve të saj evropianë që ta mbështesin atë.
“Ne jemi në një garë se sa kohë mund të mbajë ushtria ukrainase, kundrejt sa kohë mund të mbajë ekonomia ruse? Dhe nëse SHBA dhe Bashkimi Evropian mund të bashkëpunojnë për të vendosur më shumë sanksione, tarifa dytësore për vendet që blejnë naftë ruse dhe ekonomia ruse do të shkonte në kolaps të plotë, dhe kjo do ta sillte presidentin Putin në tryezë”, u shpreh Bessent.
Komentet e Bessentit vijnë vetëm disa orë pasi Rusia kreu një sulm ajror në Ukrainë, duke përfshirë një numër rekord të droneve dhe raketave që nga fillimi i luftës, duke vrarë të paktën katër persona dhe duke dëmtuar ndërtesën e Kabinetit të Ministrave (qeveria ukrainase) në Kiev.
Të enjten e 4 shtatorit, Presidenti Volodymyr Zelenskyy tha se gjatë një bisede me presidentin amerikan Donald Trump, pjesëmarrësit më të fundit të Koalicionit të Samitit të Vullnetmirëve në Paris diskutuan mënyra për t’i dhënë fund agresionit rus dhe për të siguruar sigurinë e Ukrainës.