Pas ndalimit të kalimit të gazit rus përmes Ukrainës, Transnistria në kolaps

Pas ndalimit të kalimit të gazit rus përmes Ukrainës, Transnistria në kolaps

Transnistria po ballafaqohet me mungesa të mëdha të gazit dhe energjisë elektrike, situatë që ka shkaktuar një krizë të rëndë humanitare dhe ekonomike në rajon.

Qytetarët janë detyruar të përballen me kushte ekstreme të jetesës, duke jetuar në shtëpi të ngrira gjatë dimrit të ashpër dhe duke i rezistuar ndërprerjeve të gjata të furnizimit me energji elektrike, që ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së tyre.

Kjo krizë energjetike është përkeqësuar më tej pasi autoritetet ukrainase ndaluan kalimin e gazit rus përmes territorit të tyre më 1 janar, duke e lënë Transnistrinë pa një burim të qëndrueshëm energjie, shkruajnë mediat.

Ky vendim ka pasoja të mëdha jo vetëm për Transnistrinë, por edhe për Rusinë, e cila tani po përballet me humbje financiare që llogariten në mbi pesë miliardë euro, për shkak të pamundësisë për të eksportuar gaz përmes këtij korridori të rëndësishëm.

Transnistria, edhe pse është pjesë e Moldavisë sipas së drejtës ndërkombëtare, ndodhet nën pushtimin rus që nga viti 1992, pas një konflikti të armatosur që përfundoi me një marrëveshje të brishtë armëpushimi.

Prania e trupave ruse dhe varësia nga Rusia në aspektin ekonomik dhe energjetik e kanë bërë këtë rajon jashtëzakonisht të cenueshëm ndaj krizave gjeopolitike dhe ekonomike. Përkeqësimi i situatës aktuale nënvizon sfidat e vazhdueshme të një rajoni që vuan pasojat e drejtpërdrejta të konflikteve dhe interesave gjeopolitike. /Telegrafi/

MARKETING