Parlamenti i Zvicrës voton për të bllokuar eksportin indirekt të armëve zvicerane në Ukrainë

Parlamenti i Zvicrës voton për të bllokuar eksportin indirekt të armëve zvicerane në Ukrainë

Parlamenti i Zvicrës ka hedhur poshtë një propozim në lidhje me transferimin e armëve zvicerane në Ukrainë, raporton Anadolu.

Shumica e deputetëve votuan të enjten vonë në mbrëmje kundër propozimit të hartuar nga komiteti i politikës së sigurisë të parlamentit zviceran.

Propozimi i ashtuquajtur “Lex Ukraine” do të kishte lejuar shtetet e tjera të furnizonin Ukrainën me materiale luftarake të prodhuara nga Zvicra.

Ligjet e Zvicrës si vend neutral ndalojnë mbështetjen për vendet e përfshira në akte lufte. Deri më tani, ky justifikim është përdorur edhe për të ndaluar transferimin e municioneve të tankeve në Ukrainë, të cilat Zvicra ia kishte shitur Gjermanisë vite më parë.

Gjermania vazhdimisht ka bërë presion për leje për të furnizuar Ukrainën me municion të prodhuar nga Zvicra. Në Danimarkë ka tanke zvicerane që vendi thuhet se do t’ia dorëzonte Ukrainës në rast lejimi. Edhe Spanja ka shprehur dëshirë për të dërguar armë zvicerane kundërajrore në Ukrainë për mbështetje.

Ata që ishin në favor të një përjashtimi nga neutraliteti kanë argumentuar se Zvicra duhet t’i japë më shumë mbështetje Ukrainës dhe të kontribuojë në sigurinë evropiane.

Kundërshtarët, duke përfshirë Të Gjelbrit dhe konservatorët nga SVP-ja, i druheshin një shkeljeje të neutralitetit dhe një afrimi shumë të ngushtë me NATO-n.

MARKETING