Paramount do ta dëmshpërblejë me 16 milionë dollarë Trumpin – CBS kishte ‘kurdisur’ intervistën me Harrisin

Paramount do ta dëmshpërblejë me 16 milionë dollarë Trumpin – CBS kishte ‘kurdisur’ intervistën me Harrisin

Paramount, kompania amë e CBS-së, ka arritur një marrëveshje me presidentin amerikan, Donald Trump, i cili e paditi për një intervistë të transmetuar në muajin tetor.

Paramount njoftoi se do të paguajë 16 milionë dollarë, por paratë do t’i kalojnë bibliotekës së ardhshme presidenciale të Trumpit dhe nuk do t’i paguhen atij “drejtpërdrejt ose tërthorazi”. “Marrëveshja nuk përfshin kërkim-falje apo keqardhje,” shtoi kompania në një njoftim.

Trump e paditi CBS-në në tetor për 10 miliardë dollarë, duke pretenduar se rrjeti kishte manipuluar në mënyrë mashtruese një intervistë të transmetuar në programin e tyre informativ “60 Minutes” me zëvendëspresidenten e atëhershme të SHBA-së dhe kandidates për presidente, Kamala Harris, për ta “përkrahur Partinë Demokratike” në zgjedhje, shkruan bbc.

Në padinë e ndryshuar të paraqitur në muajin shkurt, Trump e rriti kërkesën për dëmshpërblim në 20 miliardë dollarë. CBS ka transmetuar dy versione të intervistës me Harrisin, ku duket se kandidatja për presidente jep përgjigje të ndryshme për të njëjtën pyetje në lidhje me luftën mes Izraelit dhe Hamasit, sipas padisë të paraqitur në gjykatën federale të Teksasit.

CBS ka deklaruar më parë se padia është “plotësisht e pabazuar” dhe ka kërkuar nga gjykatësi që ta hedhë poshtë rastin. Trump ka pretenduar se montimi i intervistës nga CBS ka shkelur ligjin e Teksasit për praktikat mashtruese tregtare dhe mbrojtjen e konsumatorëve, i cili ndalon përdorimin e mashtrimeve ose veprimeve mashtruese.

Marrëveshja e Paramount erdhi pas vendimit të shtëpisë televizive ABC News, në pronësi të kompanisë Walt Disney, për të arritur një marrëveshje në një çështje shpifjeje të ngritur nga Trump. Si pjesë e asaj marrëveshjeje, të shpallur më 14 dhjetor, rrjeti dhuroi 15 milionë dollarë për bibliotekën e ardhshme presidenciale të Trumpit dhe kërkoi falje publike për komentet e prezantuesit George Stephanopoulos, i cili tha gabimisht se Trump ishte shpallur përgjegjës për përdhunim.

Po ashtu, kompania amë e Facebookut dhe Instagramit, Meta Platforms, ka njoftuar më 29 janar se ka pranuar të paguajë rreth 25 milionë dollarë pasi Trump e paditi atë për pezullimin e profileve të tij në ato rrjete sociale pas sulmit në Kapitolin më 6 janar 2021.

Trump ka njoftuar se do të ngrejë edhe paditje të tjera kundër mediave. /Telegrafi/

 

MARKETING