Paralajmërimi i Knaus: Nuk duhet të befasohemi nëse ndodhë sërish ndonjë sulm në veri të Kosovës
Kryetari i Nismës Evropiane për Stabilitet, Gerald Knaus e ka parë sulmin e 24 shtatorit në pjesën veriore të Kosovës si një nga incidentet “më të rënda” pas një periudhe të gjatë, duke shprehur shqetësimin se çfarë mund të vie pas këtyre ngjarjve në vazhdim.
Tutje, Knaus ka paralajmëruar se nëse politika ndërkombëtare nuk ndryshon qasje, nuk do të ishte befasi nëse një gjë e tillë do të ndodhte sërish.
“Këto ishin sigurisht incidentet më të rënda që kemi parë pas një periudhe të gjatë dhe duhet të jemi shumë të shqetësuar se çfarë vjen pas tyre. Bashkë me kolegët e mi shkruam një raport në fund të muajit korrik dhe paralajmëruam, duke marrë shembull skenarin e vitit 1969 të paramilitarëve të Belfastit, për një kërcënim të vërtetë. Ne mendojmë se duhen trajtuar me seriozitet kërcënimet, atë që thonë ministrat serbë në Beograd, se do të hynin me forcë për të mbrojtur serbët nga pogromet, terrori, siç kanë shkruar gazetat (serbe) tani për më shumë se një vit, për pogrome dhe terror në Kosovë që nuk ekzistojnë dhe kjo e bën këtë situatë shqetësuese, kur udhëheqësit fillojnë të shpikin krime siç bëri Putini bëri në 2014 dhe 2022 dhe mënyrën se si është bërë në fillimin e viteve të 90-ta në Ballkan. E pamë këtë sajesë si shkas për të ndërhyrë ushtarakisht, i pamë paralajmërimet e ministrave serbë dhe i morëm seriozisht. Kur një grup i madh paramilitarësh hynë në pjesën veriore të Kosovës, sikur ishte paralajmëruar, me armë të rënda, për të nxitur dhunë serioze. Nuk mendoj se duhej të befasoheshim dhe se duhet të befasohemi nëse një gjë e tillë ndodh përsëri, përveçse nëse politika ndërkombëtare ndryshon qasje”, ka deklaruar Knaus për Zërin e Amerikës.