Papa Leoni i lutet Izraelit: Lejoni ndihmat humanitare në Gazë

Papa Leoni XIV i ka bërë thirrje të mërkurën Izraelit ta lejojë hyrjen e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës, duke e përshkruar gjendjen në enklavën palestineze si “shqetësuese dhe tronditëse”.
MARKETING
“Ripërtërij thirrjen time të zjarrtë për të lejuar hyrjen e ndihmës së drejtë humanitare dhe për t’i dhënë fund armiqësive, çmimin shkatërrues të të cilave po e paguajnë fëmijët, të moshuarit dhe të sëmurët”, tha papa i ri në sheshin e Shën Pjetrit.
Leoni – i cili u zgjodh papë më 8 maj duke pasuar të ndjerin Papa Françesku – e ka përmendur luftën në Gazë disa herë në javët e para të papatit të tij.
Ai e bëri këtë lutje në fund të fjalimit para audiencës, duke shtuar disa fjalë përtej tekstit të përgatitur.
Në mesazhin e tij të parë të së dielës më 11 maj, Papa Leoni bëri thirrje për armëpushim të menjëhershëm në Gazë dhe për lirimin e të gjithë pengjeve izraelite që po mbahen nga grupi militant Hamas – i cili është i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja.
Izraeli tha të hënën se do ta lejojë hyrjen e ndihmave në Gazë pas një bllokade 11-javore ndaj enklavës, por Kombet e Bashkuara thanë se deri të martën nuk është shpërndarë asnjë ndihmë.
Izraeli bëri të ditur se synon t’i intensifikojë operacionet ushtarake kundër Hamasit dhe të marrë nën kontroll të gjithë Gazën, e cila është shkatërruar nga një luftë ajrore dhe tokësore izraelite që nga sulmi i Hamasit ndaj komuniteteve izraelite në tetor 2023.