Papa Leoni dënon “fuqitë neokoloniale” për shkelje të së drejtës ndërkombëtare pas kritikave të Trumpit

Papa Leoni dënon “fuqitë neokoloniale” për shkelje të së drejtës ndërkombëtare pas kritikave të Trumpit

MARKETING

Papa Leoni ka dënuar shkeljet e së drejtës ndërkombëtare nga “fuqitë neokoloniale”, në deklarata të bëra gjatë një vizite në Agjeri, vetëm disa orë pas kritikave të presidentit amerikan, Donald Trump, transmeton Anadolu.

Më herët, Trump ndërmori një sulm të gjerë verbal ndaj Papës, duke e cilësuar atë si “të dobët në çështjet e krimit” dhe “të tmerrshëm për politikën e jashtme”, si dhe duke vënë në dyshim rrethanat e zgjedhjes së tij.

Ai gjithashtu kritikoi qëndrimet e Papës për çështjet ndërkombëtare, përfshirë luftën ndaj Iranit, duke sugjeruar se udhëheqja e tij në Kishën Katolike është e motivuar politikisht.

Duke folur pas bisedimeve me presidentin algjerian, Abdelmadjid Tebboune, Papa Leoni dënoi shkeljet e normave ndërkombëtare pa përmendur vende specifike, gjatë një fjalimi në vizitën e tij të parë në këtë vend të Afrikës së Veriut që kur mori detyrën.

Ai falënderoi presidentin Tebboune për ftesën dhe e përshkroi vizitën si pjesë të vitit të parë të shërbesës së tij papnore, duke vlerësuar popullin algjerian për kulturën e pajtimit, solidaritetit dhe mikpritjes.

Vizita, e cila do të zgjasë tre ditë, përfshin ndalesa në Algjer dhe në provincën bregdetare lindore Annaba, vendlindja e Shën Augustinit, një prej mendimtarëve më me ndikim të krishterimit.

Tebboune, gjatë një daljeje të përbashkët me Papën pas takimeve në pallatin presidencial dhe vizitës në qendrën kulturore të Xhamisë së Madhe të Algjerit, e cilësoi vizitën si një “ngjarje historike” dhe e mirëpriti Papën në “këtë tokë të mirë që lindi Shën Augustinin”.

Ai theksoi angazhimin e Algjerisë për dialog, tolerancë dhe bashkëjetesë, duke bërë thirrje për drejtësi për popullin palestinez.

Presidenti algjerian tha se vendi i tij i kushton rëndësi të madhe drejtësisë sociale, dinjitetit njerëzor dhe mbrojtjes së të drejtave.

Papa më herët ka shprehur solidaritet me palestinezët në Gaza, duke e përshkruar situatën atje si “të papranueshme” në mes të konfliktit që filloi në tetor 2023.

MARKETING