Palestinezët dokumentojnë mbi 150 sulme nga kolonët izraelitë që nga fillimi i sezonit të vjeljes së ullinjve

Palestinezët dokumentojnë mbi 150 sulme nga kolonët izraelitë që nga fillimi i sezonit të vjeljes së ullinjve

Kolonët e paligjshëm izraelitë kanë kryer 158 sulme ndaj bujqve palestinezë në Bregun Perëndimor të pushtuar që nga fillimi i sezonit të vjeljes së ullinjve në tetor, sipas një zyrtari lokal, transmeton Anadolu.

Muajjar Shaaban, kreu i Komisionit Palestinez për Rezistencë ndaj Kolonizimit dhe Murit të Ndarjes, tha se ekipet në terren kanë dokumentuar 17 sulme nga ushtria izraelite dhe 141 të tjera nga kolonët e paligjshëm. “Këto sulme përfshinin sulme të dhunshme fizike, arrestime, kufizime lëvizjeje, ndalime hyrjeje, frikësim dhe ngacmim, deri te përdorimi i drejtpërdrejtë i armëve”, tha Shaaban.

Sipas tij, 56 sulme janë kryer në qytetin verior Nablus, 51 në qytetin qendror Ramallah dhe 15 në Hebron (El-Halil) në jug të Bregut Perëndimor. Ai shtoi se janë dokumentuar 57 raste të kufizimit të lëvizjes dhe frikësimit ndaj mbledhësve të ullinjve si dhe 22 raste rrahjesh dhe dhune fizike ndaj bujqve.

Gjithsej, 795 pemë ulliri janë shkatërruar në 74 sulme që kishin në shënjestër drejtpërdrejt tokat e mbjella me ullinj, tha ai. Zyrtari palestinez e përshkroi këtë sezon si “njërin nga më të vështirët dhe më të rrezikshmit në dekada” për shkak të intensifikimit të sulmeve nga ushtria izraelite dhe kolonët e paligjshëm.

Shaaban akuzoi pushtimin izraelit për “shënjestrim sistematik të sezonit të vjeljes së ullinjve” për shkak të lidhjes së thellë emocionale dhe historike midis palestinezëve dhe tokës së tyre, duke e cilësuar këtë si “një plan të qartë dhe të shpallur për të kontrolluar gjeografinë palestineze dhe për t’u mohuar palestinezëve qasjen në tokat e tyre”.

Sipas të dhënave palestineze, kolonët e paligjshëm izraelitë kanë kryer 7.154 sulme ndaj palestinezëve dhe pronave të tyre në gjithë Bregun Perëndimor që nga tetori i vitit 2023, duke vrarë 33 palestinezë dhe zhvendosur 33 komunitete beduine.

Në një opinion historik të korrikut të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) deklaroi se pushtimi izraelit i territoreve palestineze është i paligjshëm dhe bëri thirrje për evakuimin e të gjitha vendbanimeve kolone në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.

MARKETING