Palestina përshëndet përpjekjet e Trumpit për paqe, konfirmon gatishmërinë për bashkëpunim me SHBA-në

Palestina përshëndeti përpjekjet e presidentit të SHBA-së, Donald Trump për t’i dhënë fund luftës në Rripin e Gazës, duke përsëritur angazhimin e saj për të punuar me Washingtonin dhe palët e tjera të përfshira për të arritur paqen, transmeton Anadolu.
Të hënën, Trump njoftoi një plan 20-pikësh për t’i dhënë fund luftës së Izraelit në Rripin e Gazës së rrethuar gjatë një konference për media me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.
Plani përfshin lirimin e robërve izraelitë në këmbim të një numri të burgosurish palestinezë, çarmatimin e plotë të Hamasit dhe formimin e një komiteti palestinez teknokratik dhe apolitik për të qeverisur enklavën.
“Shteti i Palestinës mirëpret përpjekjet e sinqerta dhe të vendosura të presidentit Donald J. Trump për t’i dhënë fund luftës në Gaza dhe pohon besimin e tij në aftësinë e tij për të gjetur një rrugë drejt paqes”, citoi agjencia zyrtare palestineze e lajmeve Wafa një deklaratë të presidencës.
Presidenca theksoi rëndësinë e partneritetit me Washingtonin në arritjen e paqes rajonale dhe rinovoi “angazhimin e saj të përbashkët për të punuar me SHBA-në, shtetet rajonale dhe partnerët për t’i dhënë fund luftës në Gaza përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse”.
Sipas deklaratës, kërkohet marrëveshje gjithëpërfshirëse për të siguruar shpërndarjen e mjaftueshme të ndihmës humanitare në Gaza, lirimin e pengjeve izraelite dhe të burgosurve palestinezë, krijimin e mekanizmave për të mbrojtur popullin palestinez dhe tërheqjen e plotë të Izraelit nga Rripi i Gazës.
“Kjo do të siguronte bashkimin e tokës dhe institucioneve palestineze në Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor, përfshirë Kudsin Lindor, do t’i jepte fund pushtimit dhe do të hapte rrugën drejt një paqeje të drejtë bazuar në zgjidhjen me dy shtete, me shtetin e pavarur dhe sovran të Palestinës që jeton krah për krah me shtetin e Izraelit në siguri, paqe dhe fqinjësi të mirë, në përputhje me legjitimitetin ndërkombëtar”, shtoi deklarata.
Ushtria izraelite ka vrarë mbi 66 mijë palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, në Rripin e Gazës që nga tetori i vitit 2023. Bombardimet e pamëshirshme e kanë bërë enklavën të pabanueshme dhe kanë çuar në zi buke.