Pakistani dënon sulmin e Izraelit në spitalin në Gaza

Pakistani dënon sulmin e Izraelit në spitalin në Gaza

Kryeministri i qeverisë së përkohshme në Pakistan, Anwaar ul Haq Kakar, dënoi sulmin e Izraelit në Spitalin Al-Ahli Baptist në Gaza me termat më të ashpër, duke e përshkruar atë si një “masakër”, transmeton Anadolu.

Në deklaratën e tij në llogarinë e tij në rrjetet sociale, kryeministri Kakar deklaroi se shënjestrimi i Spitalit Al-Ahli Baptist, i cili shërben si strehë për personat në nevojë, ishte një akt çnjerëzor dhe e cilësoi sulmin e Izraelit si një “masakër”.

Duke dënuar sulmin në termat më të ashpër, Kakar theksoi se kjo është një shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut dhe ligjit humanitar.

Ai ka theksuar se Izraeli duhet të mbahet përgjegjës për krimet e tij të luftës dhe shtoi se ata duan t’i jepet fund sulmeve pa dallim.

Duke i bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ndërmarrë veprime të shpejta për të ndalur këtë dhunë dhe për t’i mbajtur përgjegjës autorët, kryeministri Kakar deklaroi se ata që mbështesin pushtimin e Izraelit duhet të rishikojnë politikat e tyre që ofrojnë mosndëshkim për zyrtarët izraelitë në fushatën terroriste të këtij vendi kundër popullit të Gazës.

Konflikti Izrael-Palestinë

Krahu i armatosur i Hamasit, Brigadat Izz ad-Din al-Qassam, nisi një sulm gjithëpërfshirës ndaj Izraelit në mëngjesin e 7 tetorit, të quajtur “Tufani i Aksasë”.

Ndërsa mijëra raketa u hodhën nga Gaza drejt Izraelit, grupet e armatosura palestineze bastisën dhe morën nën kontroll Portën Kufitare Beit Hanun-Erez në kufirin Gaza-Izrael.

Grupet e armatosura më pas hynë nga këtu në vendbanimet brenda Izraelit dhe ushtria izraelite nisi një sulm në Rripin e Gazës me dhjetëra avionë luftarakë.

Raportohet se 1.405 izraelitë, përfshirë 304 ushtarë, vdiqën dhe 3.968 izraelitë u plagosën në sulmet e kryera nga Gaza.

Ministria palestineze e Shëndetësisë njoftoi se 3 mijë persona humbën jetën dhe 12.500 u plagosën në Gaza nga sulmet e Izraelit.

Thuhet se 62 palestinezë vdiqën dhe rreth 1.250 njerëz u plagosën në sulmet e forcave izraelite dhe kolonëve hebrenj në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Në sulmet izraelite humbën jetën edhe 13 gazetarë.

Në përleshjet që nisën mes ushtrisë izraelite dhe Hezbollahut në kufirin me Libanin më 8 tetor, humbën jetën 8 anëtarë të Hezbollahut, 2 anëtarë të Xhihadit Islamik, 1 gazetar dhe 2 civilë.

Në sulmet e kryera nga Libani humbën jetën 2 ushtarë izraelitë dhe 1 civil izraelit.

Së fundi, të paktën 500 njerëz humbën jetën në sulmin e Izraelit në Spitalin Al-Ahli Baptist në Gaza.

MARKETING