Pakistan, 13 të vdekur nga shpërthimi në një tubim në provincën Baloçistan

Të paktën 13 persona humbën jetën nga një shpërthim pranë një tubimi në provincën Baloçistan të Pakistanit, transmeton Anadolu.
Siç raporton gazeta “Dawn”, autoritetet dhanë përditësime mbi shpërthimin, i cili ndodhi menjëherë pas përfundimit të tubimit jashtë stadiumit “Shahwani” në kryeqytetin e provincës, Quetta.
Autoritetet njoftuan se numri i të vdekurve nga shpërthimi është rritur në 13 ndërsa numri i të plagosurve në 35. Gjithashtu autoritetet bënë të ditur se në tubim morën pjesë shumë politikanë dhe se shumica shpëtuan të padëmtuar.
Si pasojë e shpërthimit u dëmtuan gjashtë automjete, përfshirë automjete të blinduara që u përkisnin politikanëve.
Më parë raportet fillestare njoftuan se katër persona u vranë dhe 17 të tjerë u plagosën në shpërthimin që ndodhi pranë një tubimi në provincën Baloçistan në jugperëndim të Pakistanit. Tubimi u organizua nga Partia Kombëtare e Baloçistanit, e udhëhequr nga ish-kryeministri Sardar Akhtar Mengal.