OVL-UÇK: Protesta e Tiranës është protestë e kombit, jo e partive

OVL-UÇK: Protesta e Tiranës është protestë e kombit, jo e partive

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka reaguar ndaj deklaratës së Lëvizjes Vetëvendosje për protestën që do të mbahet nesër në Tiranë.

OVL-UÇK thotë se deklarata e Lëvizjes Vetëvendosje, e lëshuar mbrëmë vonë, tregon qartë se kjo parti po përpiqet të politizojë dhe të zbehë qëllimin e protestës së madhe që do të mbahet në Tiranë më 17 tetor.

Tutje OVL-UÇK thonë se kjo protestë nuk është e asnjë partie politike – ajo është zëri i popullit shqiptar, zëri i veteranëve, i familjeve të dëshmorëve dhe i gjithë atyre që nuk pajtohen me padrejtësinë që po u bëhet krerëve të UÇK-së në Hagë.

“Nuk ka forcë politike që mund ta ndalë apo ta përvetësojë këtë zë”, thuhet në reagim.

OVL UÇK deklaron se nuk lejon dhe nuk do të lejojë që lufta e shenjtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të përdoret për interesa partiake.

“Ne nuk kërkojmë retorikë politike, kërkojmë drejtësi për luftëtarët tanë dhe ndëshkim për krimet e Serbisë.

Protesta e Tiranës është protestë e kombit, jo e partive. Aty do të jenë mijëra shqiptarë nga të gjitha trojet, për të treguar se UÇK-ja është nderi i kombit dhe s’ka gjykatë që mund ta njollosë atë”, përfundon reagimi i OVL-UÇK-së.

Në të njëjtën kohë, OVL UÇK shpreh falënderim të sinqertë për Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, i cili është treguar zë i qartë dhe mbështetës i kësaj kauze të drejtë, si dhe për institucionet shqiptare që kanë dhënë mbështetje të plotë për mbarëvajtjen dhe organizimin e protestës në Tiranë.

MARKETING