Osmani: Ritmi i njohjeve s’do të ndalet

Osmani: Ritmi i njohjeve s’do të ndalet

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në Turqi në kuadër të Forumit Diplomatik, ka deklaruar se dy njohjet e reja për Kosovën janë momentum i mirë, derisa paralajmëroi se ky ritëm i njohjeve nuk do të ndalet.

Osmani ka thënë të dielën se Kenia dhe Sudani, që njohën Kosovën, janë shtete jashtëzakonisht të fuqishme, derisa foli për “rienergjizim të procesit”.

“…Ka shumë shtete me të cilat ne punojmë më shumë se një dekadë dhe tek pastaj vjen vendimi dhe është momentum shumë i mirë që tani kemi edhe dy njohje të reja nga shtete jashtëzakonisht të rëndësishme jashtëzakonisht të fuqishme me impakt në kontinentin afrikan por edhe më tej, në mënyrë që të jepet një rienergjizim gjithë këtij procesi por nuk është që vetëm këto dy njohje janë zhvillim pozitiv në këtë proces. Ju e dini që në vitet e fundit ka pasur pretendime nga ana e Serbisë për, diku rreth 25 shtete, për tërheqje të njohjes nga ana e tyre. Ne kemi punuar pa ndalur këto katër vjet në mënyrë që secila prej këtyre shteteve, për të cilat pretendonte Serbia se e kanë çnjohur Kosovën në fakt rikonfirmojnë marrëdhëniet dypalëshe me Republikën e Kosovës dhe kjo është një e arritur e jashtëzakonshme, sepse është sikur, në fakt ta sjellësh njohjen përsëri dhe është edhe më komplekse në rrethana të caktuara, sepse ka situata të caktuara jashtëzakonisht fragjile në shumë prej këtyre shteteve”, ka deklaruar Osmani për RTK.

Presidentja ka thënë se janë thelluar raportet me shtetet që Serbia bënte propagandë, teksa shtoi se “ky është një ritëm i cili nuk do të ndalet dhe do të jetë rezultat i një pune të gjatë që po bëhet edhe nga Republika e Kosovës, por edhe me mbështetjen e fuqishme edhe të aleatëve tanë”.

Për njohjet, Osmani ka thënë se nuk duhet të diskutohet çështja e meritave pasi tha se ajo është meritë e popullit, duke shtuar se ky është proces në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare, “tashmë e konfirmuar edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë”.
“Është rezultat i shumë njerëzve, shumë institucioneve, shumë vite punë, por është rezultat edhe i një mbështetjeje tepër të madhe që kemi marrë dhe vazhdojmë ta marrim nga aleatët tanë. Përgjatë viteve, meqë jam marrë më këtë proces që nga viti 2008, e kam parë, dhe secili, që është marrë me këtë proces seriozisht e di, që Kosova në vetvete e ka shumë vështirë që të arrijë njohje qoftë bilaterale, qoftë anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, kjo shndërrohet në një proces të suksesshëm vetëm atëherë kur e kemi edhe përkrahjen e aleatëve tanë dhe, natyrisht, edhe njohja nga Kenia, që ishte njohja paraprake. Është një njohje për të cilën kemi punuar shumë afër me aleatët tanë dhe edhe njohja nga Sudani është një njohje ku na kanë ndihmuar, na kanë mbështetur aleatët”, ka deklaruar Osmani.

Presidentja shtoi se njohjet e reja që do të vijnë, do të jenë rezultat “i një bashkëdyzimi i punës së Republikës së Kosovës dhe partnerëve, të cilët besojnë në Kosovën, besojnë në shtetësinë tonë, në sovranitetin tonë dhe në konsolidimin tonë ndërkombëtar”.

“Bashkimi i forcave, në njërën anë në mes të gjithë atyre që kanë potencial të ndihmojnë në Kosovë, por edhe aleatëve të cilët kanë qenë si një shtyllë themelore e shtetësisë sonë që nga fillimi, gjithmonë sjellë frytet e veta edhe në çështjen e njohjeve”, ka theksuar ajo.

E pyetur për të ardhmen e saj në politikë, Osmani ka thënë se duhet të diskutohet e ardhmja e Kosovës, e jo e individëve.

“Unë kam punuar gjithmonë dhe punoj edhe tash që e ardhmja e Kosovë të jetë ë ndritshme, të jetë pozitive, të jetë një e ardhme emirë për të gjithë qytetarët e Kosovës. Për të ardhmen time individuale nuk është se do të duhej të bëhej merak dikush. Unë do të jap kontribut pozitiv për vendin tim edhe shumë gjatë, ajo është me rëndësi”, ka thënë ajo.

MARKETING