Osmani reagon pas akuzave të Grenellit: Në maj morëm informacione specifike për veprimet e Serbisë

Osmani reagon pas akuzave të Grenellit: Në maj morëm informacione specifike për veprimet e Serbisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i është përgjigjur akuzave të Richard Grenell lidhur me paralajmërimet për mundësinë e një sulmi të ri nga Serbia.
Ajo tha se institucionet e Kosovës kishin informacione të qarta që nga fundi i muajit maj për veprimet e Serbisë në kufi me Kosovën.

“Në të gjitha takimet kemi folur për zhvillimet në fushën e sigurisë, gjatë vizitës time në Amerikë kam deklaruar se Amerika ka pasur qëllim dhe ka ende të destabilizojë situatën. Ky vlerësim është bërë mbi bazën e informatave të vazhdueshme që ne marrim nga institucionet e sigurisë. Në fund të muajit maj kemi marrë informacione specifike lidhur me veprimet e Serbisë në kufi me Kosovën. Kam pasur takime me institucionet e sigurisë, jemi siguruar se të gjitha institucionet kanë mobilizm për mbrojtjen e vendit. Kam ndarë këto informata me aleatët për të ndalur përshkallëzimin me Serbinë”, tha Osmani.

Presidentja theksoi se Serbia po përdor propagandë për të mohuar qëllimet e saj destabilizuese.

“Gënjeshtrat e Serbisë se nuk marrin hapa destabilizues janë propagandistike. I siguroj qytetarët se nuk ka arsye as për shqetësim e as për panik se institucionet tona janë në krye të detyrës. Kërcënimet nga Serbia janë të vazhdueshme, megjithatë instuitucionet tona kanë gjithçka nën kontroll. Siç e dini që nga Banjska, edhe institucionet tona të sigurisë kanë rritur prezencën për parandalimin e tyre, edhe KFOR-i e ka rritur prezencën”, shtoi ajo.

Osmani iu referua edhe deklaratave të ministrit Maqedonci, i cili më herët kishte paralajmëruar për veprimet e Serbisë në kufi.

“Për ata që thonë se kinse qytetarët nuk kanë qenë të informuar për tendencat e vazhueshme destabilizuese, kjo është njoftuar me dhjetëra komunikata, e është përmendur në deklarata të tjera. Në fund të majit ministri Maqedonci kishte folur publikisht për këto tendenca destabilizuese, përfshirë afrimin e Ushtrisë së Serbisë afër kufirit me Kosovën. Ai u sulmua ashpër, e tash të njëjtit dalin e thonë pse nuk na keni njoftuar. Ka pasur informata që kemi ndarë me publikun. Megjithatë, për shkak se shumë prej këtyre informatave janë të klasifikuara iu lus për mirëkuptim”, tha Vjosa Osmani.

Ndërkohë, Richard Grenell, reagoi ashpër në platformën X, duke e akuzuar Osmanin për manipulim.

“Turp për Vjosa Osmanin që manipuloi fjalët e Presidentit Donald Trump.” – shkroi Grenell.

Ai kujtoi angazhimin e Donald Trump për arritjen e Marrëveshjes së Uashingtonit dhe e quajti të pavërtetë pretendimin e Osmanit për informacione të reja.

“Donald Trump u nominua për Çmimin Nobel për Paqen për punën e tij në paqen dhe normalizimin ekonomik midis Kosovës dhe Serbisë në vitet 2019 dhe 2020 – përmes nënshkrimit të Marrëveshjes së Uashingtonit nga Trump në Zyrën Ovale në Shtëpinë e Bardhë.

Osmani nuk ishte pjesë e asaj marrëveshjeje. Dhe të pretendosh sikur kishte diçka të re është absurde”, përfundoi Grenell.

MARKETING