Osmani për protestën: Lufta e UÇK-së ishte e drejtë – Serbia po tenton të rishkruajë historinë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur pas paralajmërimit të protestës së Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së më 7 gusht, e cila është thirrur në kundërshtim të veprimeve të Gjykatës Speciale.
Në një deklaratë për media, Osmani e cilësoi jashtëzakonisht shqetësuese pranimin e provave të prodhuara nga shteti i Serbisë nga ana e kësaj gjykate, duke theksuar se ato janë historikisht të falsifikuara dhe për qëllim kanë rishkrimin e historisë së luftës së UÇK-së.
“Nuk ka asnjë përpjekje që mund ta njollosë luftën e drejtë çlirimtare të UÇK-së dhe popullit të Kosovës. Ka qenë luftë për të mbrojtur nga forcat gjenocidale të Millosheviqit,” deklaroi Osmani.
“Duhet të gjithë ne, si institucione, si popull, si komb, t’i bashkojmë forcat tona në mbrojtjen e luftës së drejtë dhe çlirimtare,” përfundoi ajo.