Osmani: Kosova meriton trajtim të barabartë në procesin e dialogut dhe në rrugën drejt BE-së

Osmani: Kosova meriton trajtim të barabartë në procesin e dialogut dhe në rrugën drejt BE-së

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së, Peter Sorensen, për herë të parë që pas marrjes së detyrës së tij në shkurt të këtij viti, raporton Anadolu.

Zyra e Presidentes njoftoi pas takimit se Osmani dhe Sorensen kanë diskutuar për dialogun Kosovë-Serbi, sigurinë në rajon dhe integrimin evropian të Kosovës.

Sipas njoftimit, Osmani ritheksoi nevojën për heqjen e masave të vendosura nga BE-ja, në qershor 2023, duke theksuar ndikimin e tyre negativ në jetën e qytetarëve të Kosovës, pa dallim si dhe theksoi se këto masa po e dëmtojnë dialogun duke e bërë atë të pabalancuar.

“Kosova është dëshmuar tashmë si pala konstruktive në dialog, e angazhuar për paqe, demokraci e sundim të ligjit, prandaj mbajtja e masave të padrejta të BE-së ndaj vendit tonë po i dëmton jo vetëm qytetarët tanë, por edhe balancën e nevojshëm në dialog”, ka shkruar Osmani.

Në takim me Sorensen, presidentja Osmani gjithashtu paraqiti vërejtjet e saj për Draftstatutin e Asociacionit të propozuar nga BE-ja, vërejtje të cilat sipas saj duhet të trajtohen me seriozitet në mënyrë që të parandalohet rrezikimi i funksionalitetit të shtetit të Kosovës.

Sa i përket integrimit në organizata ndërkombëtare, presidentja Osmani ritheksoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës si dhe në organizata të tjera ndërkombëtare, përderisa ritheksoi shkeljet e vazhdueshme të Serbisë të marrëveshjeve të arritura në Bruksel, përfshirë shkeljen e nenit 4 të marrëveshjes së shkurtit 2023.

Sipas presidentes Osmani, Kosova është e përkushtuar për reformat e nevojshme dhe theksoi se, në kontekstin e dinamikave të reja gjeopolitike, Kosovës duhet t’i jepet statusi i kandidatit dhe procesi i zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor duhet të përshpejtohet, bazuar në parimin e meritokracisë.

Gjatë takimit u diskutua edhe roli i NATO-s, në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë, krahas institucioneve të Kosovës, sikurse edhe roli i EULEX-it, në kontekstin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë në fushën e sigurisë dhe sundimit të ligjit.

Sorensen po zhvillon vizitë zyrtare në Kosovë për të përgatitur vazhdimin e procesit të dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel, proces i cili nuk ka pasur zhvillim muajt e fundit.

Edhe përfaqësuesja e re për Politikë të Jashtme dhe Siguri në BE, Kaja Kallas ka thënë para disa javësh se gjatë këtij muaji do të shikojnë se si do të ecet përpara në procesin e dialogut, duke përmendur po ashtu edhe faktin se ka kritika ndaj formatit të deritashëm të këtij procesi.

MARKETING